Shkruan: Azem Osmani

Në të gjithë historinë e luftës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës, ku Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të fuqishëm. Të gjithë i dimë kontributet e Diasporës në kohërat e mëhershme e deri tek koha e lirisë dhe pavarësisë. Diaspora jonë edhe sot po jep kontribut të çmuar për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Ajo dërgon në Kosovë me miliona euro për t’i ndihmuar familjarët e tyre, por edhe shtresat e varfra të kësaj shoqërie të lodhur nga politika ditore. Diaspora shqiptare po ashtu në raste ka filluar edhe të investoj në ekonomi, duke themeluar kompani të tyre afariste. Ajo që kohëve të fundit ka filluar të theksohet, është fakti se shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, falë kushteve dhe respektimit e favorizimit të vlerave njerëzore kanë arritur majat e popullaritetit në botën e kulturës, shkencës, sportit, politikës por edhe në biznes, të cilët tani më i kemi ambasadorë të denjë të prezantimit tonë.

Nëse Diaspora jonë ka kryer dhe po kryen obligimet e saj kombëtare, morale e humanitare, institucionet e Kosovës nuk janë duke e bërë këtë gjë.

Diaspora jonë, jo vetëm se duhet të përkrahet, por ajo duhet edhe të përfaqësohet në institucionet e shtetit të Kosovës. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri, por edhe në Maqedoni. Në të tri këto shtete, Diaspora shqiptare është e fuqishme dhe ndikuese në shumë sfera të jetës, prandaj e meriton.

Mërgimtarët tanë sa herë që vijnë në atdhe, ballafaqohen me shumë probleme e vështirësi. Ata nisen pushimeve me padurim e të gëzuar që ta shijojnë tokën e lindjes dhe të origjinës. Mirëpo me të ardhur te kufiri, u krijohet nervozë e stres nga pritjet e gjata. Problemet tjera i kanë gjatë rregullimit të dokumentacionit në institucionet e atdheut të tyre. Mërgimtarëve u dhemb shpirti kur shohin njerëzit e gjakut që jetojnë këtu të varfëruar e të nëpërkëmbur nga kjo klasë politike amorale, e papërgjegjshme dhe korruptive. Pavarësisht situatës së krijuar, disa nga ta dëshirojnë që mjetet e tyre financiare të fituara me djersën e ballit t’i derdhin në atdheun e vet për të investuar në biznes. Qysh në përpjekjet e para ata ballafaqohen me kushtëzime ryshfeti e haraçi nga njerëz të fuqishëm në pushtet. Mërgimtarët, mu sikurse bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në Kosovë, plasin kur dëgjojnë deklaratat publike të krerëve të institucioneve se korrupsioni është vetëm perceptim e jo realitet, përderisa ata në praktikë janë ballafaquar dhe po ballafaqohen çdo herë me këtë dukuri.

Qytetarët që jetojnë këtu, po arsyetohen se janë të lidhur “me litar në fyt” nga kriza e rëndë sociale dhe si rezultat i kësaj po u nënshtrohen pushtetarëve, gjë që për mendimin tim ky nënshtrim është i paarsyeshëm. Historia jonë më e re tregon se po të njëjtit qytetarë nuk arritën t’i nënshtrohen okupuesit serb, u larguan nga vendet e tyre të punës, në rrethana shumë më të disfavorshme ekonomike dhe mbijetuan mrekullueshëm falë Diasporës sonë, kurse tani të nënshtrohesh ndaj njerëzve tu, në rrethana krejt tjera, të cilët deri dje ishin në të njëjtën situatë me qytetarët e rëndomtë përballë pushtuesit serb, është komplet e pajustifikueshme.

Megjithatë, Diaspora shqiptare nuk e ka “në prag të shtëpisë” krizën financiare, nuk është e varur financiarisht në asnjë moment nga ky regjim. Mërgimtarët tanë më mirë se kushdo tjetër e dinë se çdo të thotë të jetosh në një shtet ku sundon ligji, ku atdheu ndihmohet në praktikë dhe jo me retorikë boshe. Ata e dinë më së miri se në ç’mënyrë ndihmohet shteti, e dinë se cilat janë përfitimet kur çmohet e ngitet vlera njerëzore e profesionale, e dinë se si funksionon demokracia në praktikë, se si në rend të parë vjen vlera njerëzore, në rend të dytë ajo kombëtare dhe institucionale e tek pastaj orientimi politik i një individi. Mërgimtarët tanë këto gjëra çdo ditë i prekin me dorë. Prandaj edhe reagimet e tyre, e sidomos ato publike nëpër emisione televizive, portale apo rrjete sociale, në shumicën e rasteve janë të drejta, të arsyeshme dhe të paanshme politikisht. Këtu duhet përjashtuar një grup të vogël të tyre, të cilët edhe pse jetojnë atje, edhe pse janë të pavarur plotësisht nga ana financiare, ata janë kujdestarë të papërmirësueshëm të regjimit që vepron këtu në Kosovë. Të tillët për mendimin tim kanë nevojë për përkujdesje rehabilituese.

Duke u bazuar në të gjitha këto përparësi që posedon shumica dërmuese e Diasporës shqiptare në mërgim, jam i bindur se ekzistojnë rrugë përmes të cilave ata mund të ndikojnë fuqishëm, si në realizimin e të drejtave në atdheun e tyre, po ashtu edhe në ushtrimin e ndikimit për të përmirësuar jetën politike dhe ekonomike në Kosovë.

Diaspora duhet të ndikoj në ndryshimin e Kushtetutës, për të pasur vende të siguruara në Kuvendin e Kosovës.

Diaspora duhet të organizohet që të shuaj të gjitha Degët ekzistuese të partive tjera që veprojnë në shtetet e tyre ku jetojnë, sepse pikërisht këto parti e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Pikërisht këto parti e kanë anashkaluar Diasporën nga të gjitha proceset vendimmarrëse, si në institucione po ashtu edhe në kryesi të tyre. Rasti më i freskët është në Kuvendin e fundit të LDK-së, e sidomos largimi me forcë i Donika Gërvallës nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Diaspora shqiptare duhet ta themeloj një parti të vetme, duke u koordinuar me të gjitha shtetet e botës ku jetojnë shqiptarët. Një parti plotësisht të pavarur dhe e pandikuar nga partitë ekzistuese këtu në Kosovë. Një parti e regjistruar në KQZ, e cila do të konkurronte në zgjedhjet nacionale dhe lokale me kandidatët e vet. Një parti e cila do të duhej të jepte leksione se si respektohet demokracia e brendshme, se si duhet të mbrohet interesi i Kosovës, se si duhet të punohet për ta zhvilluar dhe forcuar ekonomikisht Kosovën. Një parti e cila me ndikimin e saj do të mbronte pastaj edhe të drejtat e mërgimtarëve që vijnë në Kosovë. (Për mendimin tim disa organizime që po bëhen, nëpërmes Ministrisë së Diasporës, janë më pak se simbolike. Fundja kjo ministri është plotësisht e varur nga partitë në pushtet).

Të zgjedhurit e Diasporës në Kuvendin e Kosovës do të ndikonin po ashtu të jenë edhe pjesë e qeverisjes, për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe të dukurive të tjera abuzive, luftimin e klaneve dhe nepotizmit, dhe krejt në fund në ndikimin e zhvillimit ekonomik, për të cilën gjë ka shumë nevojë qytetari i lodhur i Republikës së Kosovës.

E njëjti veprim kishte me sjellë avantazhe edhe në Shqipëri e Maqedoni.