Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq ditë më parë deklaroi se “kam frikë nga një provokim i ri në Kosovë të hënën, në kohën e Samitit të Procesit të Berlinit”. Dhe pikërisht të hënën një provokim erdhi nga ana e Serbisë në kufirin në Merdar.

A ishte deklarata e kryeministrit serb një paralajmërim?

Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë për një provokim nga pala serbe në Merdar. Sipas njoftimit, katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektit te pala serbe, në stacionin policor kufitar në Merdar.

Tutje thuhet se me një veturë të tipit “Land-Rover”, ata e kanë shkelur vijën kufitare “që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në”.

“:Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.

Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar.” – thuhet në njoftim.