Përzgjedhja e agjensionit “Dita” për dërgimin e maturantëve të Sh.M.T. “Fan. S. Noli” në ekskurzion në Shqipëri sipas një burimi të portalit Llapi.info u bë për konflikte interesi, për t’iu siguruar drejtorëve fitime të dyfishta. Por, një gjë të tillë e mohon drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, i cili për Llapi.info tha se përzgjedhja e agjensionit u bë sipas udhëzimit administrativ nr. 18/2014 të MASHT-it.
Në hapjen e ofertës për dërgimin e maturantëve të Komunës së Podujevës në ekskurzion në Shqipëri kishin aplikuar gjashtë agjensione turistike me oferta të ndryshme. Ofera me çmimin më të lartë prej 110 euro ishte e agjensionit “Flurtura Reisen”, ndërsa, ajo më e ulëta e agjensionit “Sharr Travel” më çmim 65 euro.
Por, për dërgimin e maturantëve të Sh.M.T. “Fan S. Noli” në ekskurzion në Shqipëri, tenderin e kishte fituar agjensioni “Dita” me ofertën e çmimit prej 98 euro, çmimin e dytë më të lartë.
Sipas burimit të portalit Llapi.info përzgjedhjen e agjensionit “Dita”, pati konflikt interesi.
“Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës akoma nuk i ka kryer obligimet e saj për përzgjedhjen e agjensionit i cili do të merret me akomodimin e nxënësve në Shqipëri. E gjithë kjo vonesë po bëhet për shkak se në këta tender ka konflikt interesi. Këta po mundohen që të përzgjedhin agjensione të cilat kanë marrëveshje të dyta me të cilat u sigurojnë atyre fitime të dyfishta. Dhe për çudi të gjithë ofertuesit me ofertat më të ulëta u anashkaluan”, ka thënë burimi.
Por, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, thotë se përzgjedhja e agjensionit u bë sipas udhëzimit administrativ nr. 18/2014 të MASHT-it.
“Ne kemi vepruar sipas udhëzimit administrativ nr. 18/2014, aktivitetet jashtë shkollore, përkatësisht sipas nenit 11 “Ekskurzion” i cili përcakton kriteret shumë qartë se kush është anëtar i komisionit, kush është në komision. Në bazë të udhëzimit, fatkeqësisht drejtori i drejtorisë është kryetar i komisonit, është drejtori i shkollës dhe një anëtar i këshillit të shkollës”, ka thënë Maloku për Llapi.info
“ Çdo ofertë që është ofruar në detaje është kontrolluar. Çmimi ma i ulët nuk është serioz, sepse shkuarja në Shqipëri e kërkon mjekun me pas, me ja pagu nxanësit hyrjen në çdo monument historik që kushton, me akomodu një hotel me muzikë të gjallë e me krejt kushton. Andaj, çmimi prej 68 euro më i ulëti që ka qenë nuk e mbulon, sepse dikush mundet me shku me 68 euro po në çfarë kushtesh shkon”, ka shtuar Maloku.
Maloku ka treguar edhe arsyet se pse dy shkollat tjera, gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe Sh.M.E. “Isa Boletini” ende nuk kanë shkuar në ekskurzion. Ai madje ka përmendur se ka gjasa që këto dy shkolla të shkojnë në muajin maj vitin e ardhshëm.
“Tash i kam edhe dy shkolla tjera me numër më të madhë të nxënësve. Çështja është se qysh po kanë kohë edhe dy anëtarët e komisionit, drejtori i shkollës dhe një arsimtar. Jemi si afër vendimit për të vendosur, por nuk do të thotë se edhe shkojmë tani. Udhëzimi administrativ thotë se mund të shtyhet edhe për maj. Nuk e kem për ngut na, se nxënësit nuk shkojnë atje me u la se nuk e kanë në planprogram një gjë të tillë”, ka thënë Maloku./Llapi.info
Llapi.info u sjell ofertën e të gjitha agjensioneve turistike që kanë aplikuar në Komunën e Podujevës për dërgimin e maturantëve në ekskurzion në Shqipëri dhe udhëzimin administrativ nr. 18/2014.
Udhëzimi administrativ nr. 18/2014