Debat i gjatë me akuza e kundërakuza është zhvilluar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, në pikën kur po diskutohej informata e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Klubin Futbollistik Llapi.

Kjo informatë e dhënë nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport [DKRS] në Komunën e Podujevës, Donika Sfishta, është cilësuar nga këshilltarët komunalë si e mangët. Kjo, pasi që sipas tyre, nuk është treguar se a ka aksione Komuna në këtë klub, raporton Llapi.info

Këshilltarët opozitarë kanë thënë se janë falsifikuar dokumentacionet, pasi që siç e quajnë ata, me qëllim që klubi t’i jepet një biznesi.  

Drejtoresha Sfishta duke folur për këtë informatë, ka thënë se kjo ka ardhur pas kërkesës së disa këshilltarëve të Kuvendit. Ajo ka thënë kjo Drejtori nuk ka kompetencë të plotë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejt sa i përket mbikëqyrjes së funksionimit të këtij klubi.

Sipas saj, pas ndërkombëtarizimit, gjegjësisht pranimit në FIFA dhe UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës [FFK], ka marrë rekomandime që të fillohet me riorganizimin e klubeve sportive të Kosovës sa i përket statutit, gjendjes së tyre juridike dhe çështjeve tjera relevante të parapara me rregullat dhe standardet e këtyre institucioneve ndërkombëtare.

“FFK ka dërguar shkresë te të gjitha klubet e futbollit, duke rekomanduar që të gjitha klubet të riorganizohen në bazë të legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare dhe hapjen e mundësive për licencim për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka shtuar se kjo çështje ka kaluar në Kuvendin e Komunës për ndryshim statuti.  

“Në vitin 2016, drejtuesit e klubit Llapi kanë shpreh interesim të ndërrimit të statutit të klubit, me qëllim të hapjes së mundësive të riorganizimin e klubit sipas kushteve, kritereve dhe standarteve ndërkombëtare. Si hap i parë, çështja është iniciuar për vendosjen në Kuvendin e Komunës, përkatësisht ndërrimin e statutit, nga klubi OJQ- në klub me shoqëri aksionare ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, me qëllim që Komuna të mbetet aksionare në klub, së bashku me aksionarët të tjerë që pretendojnë të vinin sipas shprehjes së interesit në bazë të proceduarave publike dhe transparente. Për çka, edhe është marrë vendim në Kuvendin e Komunës, që pas shqyrtimit të ligjshmërisë nga ana e MKRS-së, është vlerësuar se është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, me arsyetimin se në raste të tilla, Komunat nuk mund të interferojnë dhe të vendosin çështjet të cilat kanë të bëjnë me OJQ si dhe nuk mund të jenë bashkë-aksionarë. Andaj, edhe ka rekomanduar që brenda afatit ligjor të bëhet shfuqizimi i vendimit në fjalë së bashku me aktet përcjellëse të tij”, është shprehur Sfishta.

Sipas saj, pasi që është vendosur në mbledhjen e klubit për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ-së, me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e shoqërisë aksionare, Komuna nuk ka kompetencë dhe përgjegjësi ligjore të mbikëqyrjes, monitorimit dhe interferimit të klubit Llapi.

“Nga kjo që u theksua, aq sa jemi të informuar, organet e klubit Llapi kanë filluar marrjen e iniciativës për riorganizim të klubit, sipas sugjerimeve të MKRS-së dhe FFK-së, në funksion të përmbushjes së kushteve dhe kritereve të parapara nga FIFA dhe UEFA. Përfundimisht në pjesën e dytë të vitit 2016, në mbledhjen e Kuvendit të klubit, është vendosur për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ-së, klubit publik të futbollit Llapi në Podujevë, me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e shoqërisë aksionare. Pas këtij vendimi, Komuna dhe DKRS nuk ka kompetenca dhe përgjegjësi ligjore të mbikëqyrjes, monitorimit dhe interferimit të klubit Llapi, mirëpo mbetemi të përkushtuar për mbështetje të vazhdueshme sa i përket investimit dhe krijimit të mundësive sa më të favorshme për zhvillimin e sportit në Podujevë”, ka vazhduar ajo.

Në lidhje me këtë, Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka potencuar se çështja e klubit Llapi është në procedurë penale.

“Sot të tejkalohet kjo pa e ditur se ç’ndodhi me Llapin, kur 2005 është bërë OJQ dhe më 2013 është bërë nga asambleja përpjekja për ta bërë shoqëri aksionare. Çështja e klubit të Llapit është në procedurë penale, për aryse se ka pasur edhe falsifikime të proces-verbaleve, posaçërisht i procesverbalit të Kuvendit si OJQ. Tash një klub i një Komune t’i lihet përgjegjësia vetëm FFK-së, është e padrejtë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, akuza më të mëdha kanë dhënë këshilltarët nga radhët e PDK-së. Arbër Blaku nga ky subjekt ka thënë se Llapi është shitur, siç e ka quajtur ai për “dy pare”. Madje, Blaku ka thënë se edhe janë falsifikuar dokumentacionet.

“Nuk e di për cilin Llap po diskutohet. Sipas informatave që kam unë, Llapi e ka një emër KF Llapi, këtu e kemi një klub tjetër, ose biznes tjetër i cili është ka shfrytëzon pasuritë e Llapit. Llapi i vitit 1932 është klubi që jemi rritur me të. Tash pse i është dhënë klubi këtij biznesi në pronësi? Me cilën procedurë? Me këto falsifikime që i keni bërë që ia them publikisht edhe Prokurorisë së Shtetit. E kanë falsifikuar nënshkrimin Ajvazit me një fjalë, edhe pse është në procedurë gjyqësore. Fakte i ofrojë sa të duash, e kanë falsifikuar e kanë shitë Llapin për dy pare, për dy pare e kanë shitur klubin ku jemi rrit na krejt”, tha Blaku.

“Ja kanë dhënë një biznesmeni që e ka punën e vetë, por për ta nuk është klubi. Me ardhë ai me na thanë pak me dashtë e mbylli Llapin, s’ka kompetencë ai. S’ka pas as kuvend e as serbë që kanë mujt me mbyll Llapin. Ai thotë se pak me dashtë e mbylli krejt. Ka e ka marrë ai atë drejtë me dhanë këtë deklaratë? Kallëzoni formën qysh ia keni falë Llapit historinë?”, ka thënë më tej ai.

Edhe Fatmir Rudari nga ky subjekt ka kërkuar përgjigje se a ka Komuna aksione në këtë klub apo është vetëm pronë e vëllezërve Batatina.  

“Komisioni për statutin e Llapit është shpërbërë pas shqyrtimit të ligjshmërisë. Por, pyetje është se a ka Komuna përqindje në Llap apo jo, apo vetëm është pronë e vëllezërve Batatina”, është shprehur ai.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, duke folur për gjendjen e stadiumit, ka thënë se duhet të jemi krenar me sukseset e Llapit. Ka thënë se Llapi do ta ketë një stadium me standarde të UEFA-s.

Pas gjithë këtyre akuzave, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Donika Sfishta ka thënë se nuk është në kompetencë e saj të flasë më shumë.

“Nuk është në kompetencë e imja t’iu përgjigjem për klubin Llapi, se unë jam vetëm që një vit drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Podujevë”, ka thënë Sfishta.

Insistim se a ka Komuna aksione në këtë klub ka bërë edhe shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica.

“Nuk e dimë qysh është statuti, duhet ta dimë a ka aksione Komuna në klub, e kujt është në pronë ku funksionon. Po ashtu, duhet të dimë edhe sanksionet që duhet me i marrë nëse dikush e ka keqpërdor ndonjë dokumentacion. Komuna duhet me thanë s’kemi aksione nëse s’ka. Nëse kryesia e kaluar e klubit e ka falsifikuar atë dokument, ai është proces penal. Sa i përket subvencionimeve, klubi do ta ketë mbështetjen”, ka shtuar ai.

Se a ka aksione Komuna në klubin futbollistik Llapi, këshilltarët opozitarë nuk kanë marrë përgjigje nga ekzekutivi./Llapi.info