Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar falje ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha.
“Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se është e përcaktuar për një gjuhë të kujdesshme në diskursin publik.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, mbrëmë në një emision televiziv, e ka quajtur Mustafën “xhenaze vertikale politike”.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar edhe vet LDK-ja, e cila, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se “duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpallë dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë”.
“Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individë me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës. LDK konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënojë kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik”, thuhet në kumtesën e LDK-së.
Më tej në reagim thuhet se “LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale”.
“Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale”, përfundon njoftimi.