Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar shumë pozitive dhe në kohë të duhur procedimin nga Qeveri për miratim parlamentar të tri projektligjeve bazike për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
DPMS i AAK-së thotë se është i angazhuar dhe përcjellë me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me procesin e transformimit të FSK- së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Veprimet e tilla proaktive të Qeverisë, në koordimin me partnerët strategjik të FSK-së NATO-n dhe SHBA-të, po realizojnë infrastrukturën e plotë ligjore për krijimin e Ushtrisë, si komponent kryesor të sigurisë për garantimin e sovranitetit dhe paqes duke ruajtur direkt mjedisin e sigurisë në Kosovë, rajon dhe kapacitetet ushtarake për misione paqëruajtëse në botë.

DPMS i AAK-së i mirëpret të gjitha angazhimet shtetërore dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë SHBA-në dhe NATO-n, për gatishmërinë në ofrimin e mbështetjes strategjike, aspekteve teknike ushtarake dhe logjistike në interes të misionit të ri të FSK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas këtij departamenti, nevoja që Kosova të bëhet me ushtri është tepër urgjente, gjetja e një opsioni të koordinuar formal, do të nënkuptonte zgjerimin e misionit të FSK-së deri në krijim dhe transformim të plotë.

Qeveria e Republikës të Kosovës me votë unanime ka miratuar tri ligjet bazë për transformim të FSK-së me mision dhe detyra shtesë sic është Ligji për Forcën, Ligji për shërbim në Forcë dhe Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes.