Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- dega në Podujevë e ka krahasuar Ministrisë e Shëndetësisë (MSH) me shoqatat humanitare, pasi që sipas tyre donacionet që kjo ministri i ndau ditë më parë për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë qenë në depot e MSH- së gjatë gjithë vitit dhe e gjithë kjo, sipas tyre, ka mbetur për shkak të keq menaxhimit nga njerëz përkatës në ministri e drejtorinë komunale, thuhet në komunikatën e AAK-së, transmeton Llapi.info.
Ja edhe komunikata e plotë e AAK-së:
Ministria e shëndetësisë në rolin “Shoqatës Humanitare”
Është fundi i vitit dhe tani janë në trend dhuratat dhe ndihmat e ndryshme nga organizata të shumta humanitare, qoftë për të ndihmuar njerëz në nevojë e herë- herë besa edhe për përfitime nga më të ndryshmet. Me sa duket këtij trendi nuk mundi t’i rezistojë as Ministria e shëndetësisë e cila e mori rolin e këtyre organizatave humanitare qoftë për ta ndihmuar Drejtorinë Shëndetësisë në Podujevë e qoftë për “pak” marketing politik, Përderisa qendrave të mjeksive familjare gjate gjithë vitit ju mungojnë gjërat elementare për të mbrojtur shëndetin e popullatës , përgjegjësi kjo e ndarë në mes te drejtorisë komunale dhe Ministrisë së Shëndetësisë tash na del se babadimri nga Ministria e Shëndetësisë paska dhënë “donacion” mjete për nevoja të mjeksive familjare për komunën tonë.
Te nderuar qytetarë këto mjete të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit tonë kanë mbetur nëpër Depot e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë gjithë vitit për shkakun e keq menaxhimit të njerëzve që menaxhojnë qoftë drejtorinë komunale qoftë në ministri,përderisa kanë qenë të nevojshme gjatë gjithë kohës për mbrojtjen e shëndetit tonë. Roli dhe përgjegjësia e Drejtorisë Komunale dhe Ministrisë se Shëndetësisë është i përcaktuar me ligjin Nr. 04/L-125,dhe ky ligj i obligon organet përgjegjëse për furnizimin me mjete te nevojshme institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit..Mbrojta e shëndetit është e drejtë e mbrojtur me këtë ligj dhe në asnjë Formë të mundshme pushteti këtë obligim që e ka për qytetarët nuk guxon ta tjetërsojë.
I gëzohemi faktit që më në fund shëndetësia në Podujevë do jetë më e furnizuar për ca kohë, por nëse Ministria dhe drejtoria e shëndetësisë e bën furnizimin në këtë mënyrë duke mos e respektuar ligjin atëherë mjerë pacientet dhe qytetarët e Kosovës.
Me respekt AAK-Dega Podujevë