Në një komunikatë për media, kryetari i degës së AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të ngritet padi kundër komisionit që sipas tij i fali tokë fqinjëve me anë të demarkacionit, njofton Llapi.info.

Ai ka shkruajtur se pushtusi serb gjithmonë ka qenë i interesuar që shqiptarët të ikin nga tokat e tyre e për këtë i ka joshur në lloj-lloj mënyrash.

Ndërsa për thënjen “Kosova nuk humb asgjë” sipas tij, kjo nuk është e re pasi që sipas tij kështu thuhej edhe 20 vite më parë kur minatorët shqiptarë hynë në grevë për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese.

Humolli gjithashtu ka përmendur edhe rastin e studentëve në vitet e 80-ta të cilëet demonstronin kundër pushtuesit serb.

Më poshtë ua sjellim shkrimin e plotë:

28 vite më parë, Shkurt 1989 kur 1300 minatorë shqiptarë hynë në grevë dhe u ngujuan në thellësi të minierave të Kosovës për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të 89′. Ata kishin mundësi të lëviznin lirshëm, por zgjodhën të kundërshtonin pushtuesin. Apo në vitet e 80′ kur studentët demonstronin fuqishëm kundër regjimit, edhe atëherë liria e lëvizjes ekzistonte, por studentët zgjodhën protestën kundër pushtuesit. Apo koha kur Jusuf Gërvalla e intelekualë të tjerë lëviznin e vepronin jashtë vendit, por prap punonin për të drejtat e popullit, dhe e kundërshtonin këtë regjim i cili i në fakt ua mundësonte lëvizjen e lirë. Pra, pushtuesi Serb gjithmonë ka qenë i interesuar që shqiptarët të ikin nga tokat e tyre dhe i ka joshur në lloj-lloj mënyrash ta bëjnë këtë, por populli ynë i ka rezistuar këtyre tendencave sepse për ne më shumë vlerë ka toka për të cilën u demonstrua, u luftua e u derdh gjak se sa një shëtitje nëpër Evropë.

Çfarë po tentohet sot vallë, që në emër të lëvizjes pa viza të shkelet mbi të gjithë të kaluarën tonë?! Loja me “ekspertë” nuk është e re për ne, “ekspertë”,”intelektualë” e “akademikë” të tillë si Sinan Hasani e të tjerë, të shkolluar nga Jugosllavia, kishte edhe atëherë në vitet e 80′, të cilët thonin se Kosova nuk humb asgjë me ndërrimet kushtetuese të 89′. Apo të atyre që shanin popullin e vet, dhe kur vriteshin policët serb në luftë me UÇK-në, thonin se këtë e bënë Serbia, shqiptarët nuk vrasin polic Serb! Ky shkollim Jugosllav po vërehet edhe sot te disa “ekspertë”e “akademikë”. Këta pseudo-ekspertë ia falën Maqedonisë token e Kosovës, e sot shihe si arsyetohen: “Maqedonisë i falëm territor e nuk fituam asgjë, ndërsa me Malin e Zi po përfitojmë liberalizim – arritje e lartë kjo”.

Le të ngritet padi kundër këtij komisioni që ia fali Maqedonisë tokën e Dragashit të Kosovës, dhe le të merren prokurorët e shtetit dhe organet e drejtësisë me këtë shitje tradhtare. Këta pseudo-ekspertë, e matën territorin e Kosovës ende pa i caktuar pikat kufitare dhe erdhën në përfundim që Kosova ka territor më shumë se sa kemi menduar – ky do të jetë arsyetimi se pse do ti falin territor Serbisë kur të vijë koha e demarkimit me të. Arsye tjetër e përdorur nga qeveritarët është mbështetja e shteteve “mike” të Kosovës të cilat kinse po e mbështetin këtë version të demarkacionit. Dua tua rikujtoj qeverisë që të bëjnë dallimin e miqve të vërtetë prej atyre jo të vërtetë, atyre që na thonin të luftojmë për të drejtat tona, dhe atyre që na thonin të durojmë gjenocidin, e UÇK-në e quanin terroriste, thonin se Jugosllavia nuk duhet të prishet, dhe historikisht këshilluan e vepruan në dëm të Kombit tonë Luftëtarët e lirisë ditën se me cilët miq të bashkëpunojnë, dhe falë luftës së tyre sot jemi në një pozicion shumë më të favorshëm se që ishim atëherë kur i dëgjonim “miqtë” e gabuar. Mali i Zi, shtet “mik” i ndërtuar në tokat Shqiptare me ndihmën e të cekurve më lartë të cilët sot tentojnë që me firmën e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli i Kosovës t’i falin tokë të cilën as Serbia nuk ia dha në 74′.

Një miqësi të tillë duhet ta ndalim sa nuk është vonë, sepse nesër kur në Mal të Zi të fitoj krahu pro-Rus, këto toka mund të shërbejnë për ta kontrolluar tërë territorin e Kosoves, sepse kanë një pozicion shumë të favoshëm ushtarakisht. Kush garanton se nesër nuk do të fitoj ky krah, kur shihet ndikimi i Rusisë sot në Evropë. Le të pyesin veten, kreu i shtetit, kryeparlamentari, presidenti dhe të gjithë ministrat e deputetët: A është kjo qeveri e Kosovës, apo është e ndërkombëtarëve? Kë po e përfaqësojnë, popullin e Kosovës apo atë të Malit të Zi? Kërkoj nga deputetët e Kosovës të mos korruptohen nga “miqtë’ e Bashkimi Evropian të cilët me shumë vrull thirren në luftën kundër korrupsionit, e kushtëzojne lëvizjen e lirë me të, ndërsa Kosovës i kërkojnë ta falin Kullën e Çakorrin për të lëvizur lirshëm – a nuk është korrupsion I pastër ky qe BE-ja po ia bënë qeverisë së Kosovës?!