Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tryezën e radhës për taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë.
Sipas përfaqësuesve të AAK-së, zëvendësimi i taksës me reciprocitet, ashtu siç është paralajmëruar nga Kurti, është vështirë i realizueshëm.
Gazmend Abrashi nga AAK ka thënë se vendosja e taksës ishte përgjigje pë Serbinë, derisa ka shtuar se nga ajo është rritur numri i të punësuarve.
“Vendosja e tarifës ishte instrument i vetëm me të cilën do të reagonte Kosova ndaj veprimeve desktruktive të Serbisë. Kemi rritje të dukshme të numrit të punësuarve. 67 për qind e bizneseve kanë deklaruar se janë rritur shitjet pas vendosjes së tarifës deri 33 për qind kanë deklaruar se shitjen kanë mbetur të njëjta. Nga analiza që është bërë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, në pyetjen për ndikimin e taksës 50 për qind janë përgjigjur pozitivisht ,15 neutral , 35 për qind negativisht. Serbia pas vendosjes së tarifës përmes kontrollit medial tentoi ta minimizojë këtë hap me arsyen se kjo nuk do të ndikojë në ekonominë e saj por me kalimin e kohës Serbia është dorëzuar dhe kërkoi heqjen e taksës”, ka thënë ai.
Abrashi ka shtuar se reciprociteti nuk do të funksionojë për shkak të pozitës që Kosova ka si shtet dhe se reciprociteti është vështirë i realizueshëm.
Kurse nga Aleanca Kosovare e Bizneseve bënë të ditur që për dallim nga vendosja e taksës, një vit pas është zvogëluar numri i bizneseve të cilat kanë qenë pro mbajtjes së taksës.
Agim Shahini nga AKB ka thënë se e kanë vlerësuar taksën si aset kombëtar.
“Aleanca e biznesit ka bërë tri hulumtime nga vënia e taksës e deri më këndej. Aleanca e Bizneseve e ka vlerësuar taksën si aset kombëtar, aset diplomatik. Bizneset gjatë kësaj periudhe shpejt kanë qenë zëvendësim të importit të lëndës së parë por edhe produkteve tjera. Se a duhet të hiqet taksa, nga përgjigjja e 500 respodenteve në fillim kanë qenë 98 që s’duhet të hiqet taksa kurse në fund të 2019, 75 për qind kanë thënë që nuk duhet të hiqet taksa”.
Kjo tryezë është duke u mbajtur në vazhdën e diskutimeve të Aleancës për kundërshtimin e heqjes së taksës dhe zëvendësimin e saj me masën e reciprocitetit./koha