Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dhe kandidati i kësaj partie për deputet atje, Boiken Abazi, është ankuar se po u vidhen votat gjatë procesit të numërimit.
Abazi ka pretenduar se votat e tyre po bëhen të pavlefshme ose po i jepen Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.
“Një nga mënyrat se si po e vjedhin dhe/ose deformojnë votën tonë në këto zgjedhje është si në vijim: Aty ku qytetari ka vendosur një “X” poshtë nr. 13 në fletën e votimit pranë emrit tim, te i njëjti fletëvotim kanë vendosur edhe një “X” tjetër te një prej kandidatëve të PS, duke e shpallur të pavlefshme fletën e votimit ose duke ia dhënë PS”, ka shkruar Abazi.
“Deri tani këto raste i kemi evidentuar në disa Qendra Numërimi të cilat do i bëjmë publike në vijim”, ka shtuar ai.
Abazi nga numërimi i deritashëm del se ka marrë më pak se 1 mijë vota nga qarku i Tiranës, ndërsa i duhen rreth 15 mijë sosh që të mund ta fitojë një mandat si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Përveç Abazit, LVV kandidoi në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri edhe me dy kandidatë të tjerë, Kreshnik Merxhanin nga qarku i Gjirokastrës dhe Iliaz Shehun nga qarku i Lezhës. Edhe këta të dy s’do të mund të ulen në karrigën e deputetit në kuvendin shqiptar.