Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me Ekipin Politik për Mërgatë, ka takuar sot bashkatdhetarët në Grenchen të Zvicrës, me rastin e shënimit të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK në këtë rajon. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Anton Quni, Sokol Haliti, Armend Zemaj e Shkumbin Gashi.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se, në këtë tubim, ka takuar njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në si dhe ka uruar kryetarin e degës, Ahmet Kosumin, për angazhimin.

“Sot, takova njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe takova njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Takova burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kryetarit të Degës Ahmet Kosumi e anëtarëve të Kryesisë i urova për angazhimin në shtëpinë tonë të përbashkët,” ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai ka deklaruar se partia e tij po rikthehet fuqishëm në diasporë.

“Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi.” ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.