Lumir Abdixhiku e ka kritikuar tej mase programin qeverisës të prezantuar nga Qeveria Kurti. Ai ka thënë se ky është një nga programet më jopërmbajtësore që ka lexuar ndonjëherë. Kreu i LDK-së ka thënë se ky program tregon se kjo Qeveri nuk din dhe nuk ka përvojë për të qeverisur.
“Të presësh 60 ditë për një program qeverisës nuk është ndonjë tragjedi.
Qeverive të reja, të papërvoja, ju duhet kohë.
Kohë për të projektuar ecjen e gjithë aparatit shtetëror për 4 vjet mandat.
Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të keshë dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë.
Dyshimin disi e kapërcen sepse faqet megjithatë s’e bëjnë përmbajtjen. Përmbajtjen e përbëjnë argumentet e idetë e fjalës. Sa të fuqishme, sa konkrete e sa kreative janë ato.
Por, ky dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës. Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë – e që mban titullin e Programit Qeverisës për 4 vjet.
Dhe s’po e them këtë si kritikë sa për hir të opozitarizmit. Është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër. S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim. S’thotë gjë, askund – përjashto ndonjë politikë dytësore aty – këtu se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë. Këtë pret secili nga një Program Qeverisës. Çfarë do të bëhet për katër vjet e si do të duket vendi ynë i përbashkët katër vjet nga sot?!
“Do të bëjmë politika të mira”, thotë Programi Qeverisës në pothuajse secilin sektor. Ec e definoje abstraktin e një hartimi të tillë. “Do të bëjmë politika të mira”, s’është masë! Është deklaratë. Është parullë. Në Programin Qeverisës parullat vend s’kanë. Ato as nuk maten as s’udhëzojnë. Ato thjeshtë jepen sa për të mbushur vend.
Janë dy shkaqe e arsye prapa një mosdefinimi të tillë. E para, ndoshta sepse nuk dini e nuk e keni të qartë as ju se çfarë do të bëni tani që jeni në pushtet. E dyta, sepse keni frikë nga vendosja e synimimit e qëllimit. Sepse qëllimi me gjithë masa është i matshëm. Matja tregon dhe progres. E kur s’ka progres, nëpërmjet matjes, shpërfaqet ngecja. Duket se Qeveria me këtë plan ka treguar frikën nga kritika ndaj ngecjes – sepse nuk i beson vetes. E për shkak të frikës nga ngecja, kanë hequr dorë edhe nga përpjekja.
E pse keni frikë, kur i keni të gjitha, kur i keni krejt, këtë nuk e kuptoj dot?! Programin duhet ta përdorni si udhërrëfyes tuajin, e tonin bashkërisht. Ta matni veten e të ju masim ne e qytetarët bashkërisht për gjërat që jeni zotuar se do t’i bëni.
S’mund të vazhdoni të qeverisni me inercion!
As duke e kritikuar të shkuarën. Për këtë kritikë qytetarët kanë dhënë një verdikt. Juve një shpërblim 50 plus përqind, të tjerëve një dënim. Tash do të ju masin njëtrajtësisht për të ardhmen. Për t’iu matur duhet të tregoni fillimisht se çfarë keni për të bërë në katër vjet. Dhe këtë nuk arrini dot ta shpërfaqni në dokumentin më të rëndësishëm parashikues tuajin – në Programin Qeverisës.
S’e arrini dot sepse – për shembull – gjithë shëndetësinë, problemin numër një të qytetarëve tanë e përmblidhni me 344 fjalë në një faqe program. 344 fjalë për shëndetësi në katër vjet – një Qeveri e tërë s’mund ta prodhojë si dokument. Është mungesë e plotë e ambicies e përpjekjes.
Dhe në këtë një faqesh për shëndet, as një fjalë për shumën e parave që do t’i jepni – si shumë nominale apo relative e GDP-së pa dallim. Asnjë fjalë për spitalet që do t’i ndërtoni, investimet në pajisjet e vjetruara që do t’i bëni, klinikat që do t’i funksionalizoni – e edhe më pak për premiumet e fondit shëndetësor aq të nevojshëm që do t’i implementoni. As datë, as numër, as masë. Për katër vjet plan e program, asnjë e dhënë.
Po aq e thatë, sikurse shëndetësia, mbetet edhe pjesa ekonomike e programit. Nuk besoj që në historinë ekonomike të ndonjë qeverie në rajon e Evropë pa dallim, të jetë në gjendje dikush të shkruajë kaq shumë fjalë pa asnjë parashikim, pa asnjë numër, pa asnjë vlerësim. Blanko.
Ky program s’arrin të tregojë se sa do të jetë rritja ekonomike në vend për secilin vjet, sa do të ulet papunësia, sa do të ngushtohet deficiti tregtar e sa do të rriten investimet e huaja, çdo vjet – për katër vjet.
E ftoj Qeverinë e Kryeministrin të na tregojë, sot, këtu, indikatorët kryesorë ekonomik të vendit për mandatin e tij qeverisës. Sa do të jetë rritja ekonomike në katër vjetët e tua? Çfarë rritjeje synon për secilin vit? Çfarë buxheti do të kesh? Ku do ta ndash me prioritet?
Nëse në shëndetësi – në rregull – por, sa?
Nëse në arsim – në rregull – por, sa?
Nëse në rend dhe ligj – në rregull – por, sa?
Nëse në investime kapitale – në rregull – por, sa?
Dhe në fund, pasi t’i keni bërë gjithë këto, të na tregoni se sa të papunë do t’i kemi katër vjet nga tash? Sepse punësimi është brenga kryesore e qytetarëve tanë sot e sa vjet. E keni për obligim t’u tregoni atyre, dhe vetes, se çfarë rruge dëshironi të ndiqni në këtë mandat. Atyre sepse e presin nga ju. Vetes sepse kështu e qartësoni rrugën përpara. Rrugë paushalli s’mund të ketë. Shohim e bëjmë një program qeverisës s’mund të jetë. Një paragraf të tërë e keni për punësim. Një paragraf. Për problemin numër një të kosovarëve, një paragraf përshkrim, në stilin “do të bëjmë mirë”. Çka do të bëni zonja e zotërinj? Kjo kërkohet nga ju në Programin Qeverisës.
Pjesa më shqetësuese për mua, dhe për LDK-në në përgjithësi mbetet prezantimi i tre masave puro të majta, puro socialiste, që në thelb kanë ndërmend ta forcojnë madhësinë e shtetit në ekonomi, rritjen e burokracisë e keq shfrytëzimin e parasë publike për mirëmbajtjen e ndërmarrjeve të destinuara për humbje. Pra, ky program i majtë në skajshmëri që synon ta shtojë rolin e pronës publike në ekonomi, nuk ka kuptuar asgjë për dështimet e 20 vjetëve të fundit. Nëpërmjet Fondit Sovran, synon të ndërtojë një super ndërmarrje publike – natyrisht burokratike – ku i bën mishmash ndërmarrjet në fitim e ato në humbje; të rrënuarat e funksionalet, të gjitha në një, pa dallim. Natyrisht as këtu s’jepet datë kur e si do të nisë ky Fond; por, për aq kohë sa nuk nisë aq më mirë për Kosovën.
Nëpërmjet Agjencisë Zhvillimore, pushteti synon të replikojë – në plotni por pa nevojë në tërësi – Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ta krijojë një Ministri mbi Ministri. Se pak kemi ministri. Shpeshtimi i niveleve të shtetit ka vetëm një emër – i thonë burokraci. E burokracia ka vetëm një rezultat, dështim. E nëpërmjet Bankës Zhvillimore, pushteti, synon që dhjetëra e qindra milionat e veta e tonat pa dallim, t’i kapitalizojë në një treg financiar të stërmbushur me kreditim. S’e bën këtë për ndonjë efekt; sepse efekt në atë treg nuk do të ketë – dhe këtë ky pushtet e di. Shteti jonë as s’do të ketë mjete e as treg për t’i konkurruar sektorit financiar në vend. Edhe po t’i kishte s’do të duhej ta bënte, sepse ka shëndetësinë e arsimin e rendin e ligjin në nivele dëshpëruese për para. Pushteti e bën këtë për të dhënë mesazh politik, ideologjik – me zero efekt gjithsesi.
Në politikën e jashtme, Qeveria e re tregon mungesë të plotë vizioni e saktësie. Por jo edhe të ambicies. Qeveria na thotë se brenda mandatit të saj katër vjeçar, po e citoj këtë sepse është perlë, “Kosova do të jetë e gatshme” dhe “do të paraqesë kërkesë për anëtarësim në BE”.
Ta mbajmë si referencë. Do të ishte shumë më reale sikur ky program do ta adresonte fillimisht çështjen politike – dhe jo teknike si e konsideron – të lëvizjes së lirë. Sepse lëvizja e lirë është bërë çështje politike tashmë. Kjo Qeveri, në këtë program do të duhej të garantonte se tema e lëvizjes së lirë, nuk do të ndërlidhet fare me dialogun me Serbinë.
Do të ishte shumë më reale, po ashtu, sikur ky program, do të tregonte synime më reale në sigurimin e ndonjë njohjeje, në anëtarësimet në Interpol, UNESCO e organizata të tjera ndërkombëtare. Të tregojë një aspiratë të vetme për një anëtarësim shumë më të thjeshtë sesa ai i BE-së. As Interpoli, as UNESCO, e as Këshilli i Evropës, e as edhe një organizatë tjetër ndërkombëtare – nuk përmendet as edhe një herë në këtë program sipërfaqësor.
E do të ishte shumë më reale, dhe e pritshme, që ky program të jepte një pasqyrë që Republika e Kosovës do të ndiqte në dialogun me Serbinë. Në këtë pasqyrë të shtronte qartë e pa hezitim tri parimet themeltare që Kosova duhet t’i ketë në dialog: integritetin territorial, karakterin unitar e frymën kushtetuese që Kosova ka. Meqë parimet s’janë, s’janë as edhe afatet kohore për dialog. E meqë s’ka as parime as afate në program, s’ka, sërish, si në çdo temë tjetër në këtë program, as qartësi mbi rrugën që Qeveria e Kosovës do të ndjekë për katër vjet.
Në fund fare, më lejoni të ngrisë dhe një çështje të rëndësishme, të përmendur në programin tuaj qeverisës por që tejkalon përmasat e prizmit partiak. Të padisë së paralajmëruar për gjenocid kundër Serbisë.
Kjo padi është obligim i gjeneratës së tanishme, për gjeneratat e shkuara për viktimat e vendit, për historinë e Kosovës; por, mbi të gjitha është trashëgimi që ne të gjithë bashkë duhet t’ua kalojmë gjeneratave të ardhshme.
Përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një Qeverie; sepse para së gjithash, një padi e tillë përfaqëson një popull të tërë – të tërë në plot kuptimin e fjalës. Si e tillë, ajo duhet të përgatitet mirë; aq mirë sa të mos dështojë. Sepse, dështimi më pas është njollë për të ardhmen e përbuzje e pafalshme për viktimat, e gjithë të shkuarën. Prandaj, ju ftoj që të njëjtën të mos e trajtoni për ndonjë poen të përkohshëm politik, por ta trajtoni si obligim të shenjtë për të gjithë. Mos e dështoni këtë padi” ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij.