Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim Sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.

Në njoftimin e bërë për media nga LDK thuhet se “Berger i shprehu ngushëllime kryetarit Abdixhiku për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë tanë duke ardhur në Kosovë. Po ashtu kryetari Abdixhiku i shprehu ngushëllimet për familjet e jetëve të humbura dhe popullin gjerman pas vërshimeve”.

Kryetari Abdixhiku e njoftoi Berger për prioritetet e tij, qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike, si dhe për organizimin e LDK-së për zgjedhjet lokale të tetorit.

Ai e falënderoi Berger për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman i kanë dhënë Kosovës në të gjitha proceset.

Gjatë takimit u diskutua për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe procesin e Berlinit, i cili ndër të tjerash parasheh edhe liri të lëvizjes për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.