Sekretar organizativ i LDK-së, Arban Abrashi pas takimit me zyrtarë të AAK-së dhe Nismës tha se ky ishte takim koordinues për programin qeverisës.

Sipas tij, takimet do të vazhdojnë në nivel të ekspertëve, raporton Ekonomia Online.

“Takim koordinues për të trajtuar programin qeverisës për pandeminë dhe ekonominë. Ditëve në vijim do ti shkëmbejmë dokumentet në nivel të ekspertëve. Ne nuk dëshirojmë të humbim kohë”.

Abrashi tha se marrëveshja me Listën Serbe do të publikohet.

“E publikojnë nuk është problem, nuk është sekret. Ata nuk do të jenë pjesë e takimeve”.

Abrashi nuk tregoi për emrat e ministrave të propozuar nga ana e LDK-së, raporton EO. Sipas tij, nuk ka pasur mospajtime në mbledhjen e mbajtur të kryesisë ditë më parë për këtë çështje.

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim nëse dekreti i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

Kushtetuesja e ka pezulluar dekretin e presidentit Thaçi deri më 29 maj të këtij viti.