Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi thotë se ishin të detyruar ta kërkojnë edhe votën e Adem Hoxhës për të evituar një krizë të rëndë kushtetuese.
Abrashi në “Debat Plus” thotë se LVV ka pasur komunikim me deputetët e partive tjera edhe në legjislaturat tjera, duke mohuar ndonjë lidhje me “trafikimin e deputetëve” për të zgjedhur Vjosa Osmanin presidente.
“Më vjen mirë që edhe brenda partive që shquhen për kundërshtimin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje ka deputetë që të arsyeshëm që prioritet e kanë interesin publik”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Abrashi thotë se subjektet opozitare dështuan në reformimin e tyre të brendshëm dhe për pasojë deputetët e tyre nuk po i dëgjojnë.
“PDK është në krizë të brendshme. Ajo ka dështuar në procesin e hapjes. Nuk ka hapësirë për prurje të reja. Në këtë parti deputetët e rinj po ankohen se nuk po iu vjen radha për të folur”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se nëse nuk do të zgjidhej presidentja vendi do të shkonte në krizë kushtetuese.
“LVV për të evituar këtë krizë ka pasur obligim si parti e parë që të kërkojë votën e të gjithë deputetëve përfshirë edhe atë të Adem Hoxhës. Ishe në pyetje dështimi i shtetit të Kosovës. Ndoshta edhe mund të mblidhej OKB-ja e të na caktonte administratorin e ri”, tha ndër të tjera Artan Abrashi.