Një vend që sot duket vetëm si një fushë e madhe dikur ka qenë pista e aeroportit sportiv/ushtarak. Në vend së të mbante aeroplanët sportiv, tani mbanë vetëm portat e një fushe të futbollit.
I vendosur në mes të fshatit Dumosh të Podujevës kishte një aeroport sportiv/ushtrak që njihet si “Aeroporti i Batllavës”. Në kohën e ish-Jugosllavisë përdorej për trajnimin e parashutave dhe për aktivitetet flutarake.
Ky vend që mbeti i harruar, por jo nga të gjithë. Janë instuktorët ata që mbajnë mend vendin ashtu siç ishte dikur.
Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Idriz Dreshaj, ish-kampioni i Jugosllavisë për pilot, thotë se i mësoi shumë vullnetarë që të pilotonin me aeroplan sportiv/ushtarak.
“Kam qenë ish-kampion për pilot në vitet e 80-90-ta, ajo kohë ka qenë shumë ndryshe nga tash që po e shohim vetëm një fushë të blertë. Ka pas shumë aktivitete flutarake ku mblidheshin shumë njerëz për të parë por edhe për t’i provuar këto llojë sporte”
“Kemi mbajt gara të ndryshme mes vendeve ku po u zhvillonte një garë për tu pasur lakmi, ka qenë një ndër aeroportet më të sofistikuar”, ka thënë Dreshaj.
Ndërsa i vetmi profesor i parashutizmit të asaj kohë në Kosovë, Lutfi Babatinca, thotë që parashutizmi u shërbeu edhe për luftë.
“Parashutizmi më shërbeu edhe në luftë, ishim ndër më të mirët e asaj kohe sepse këtë sport po e praktikonim shumë shpesh. E nga aktiviteti i lirë për parashutizëm nga u kthye në shërbim të luftës”
Më mungon shumë ajo kohë, e shpesh e shoh edhe në ëndërr”, ka thënë Babatinca për Insajderin.
E dikush tjetër, pavarësisht vështërsive nuk hoqi dorë nga ky lloj sporti, është ky Fadil Gërguri i cili vazhdon të fluturoj në ajër.
“Më vjen keq që ky aeroport tani është duke u shfrytëzuar vetëm për bagëtitë e që duket sikur një arë, në vend që të jetë një ndër vendet më të vizituar të parashutizmit dhe aktiviteteve flutarake sepse plotëson të gjitha kriteret për të praktikuar këto aktivitete”
Unë nuk kam lënë anash parashutizmin dhe paragllajdizmin, kam vazhduar që atëherë. Tani ngjitemi në maja të ndryshme të Kosovës, ndërsa ky aeroport sportiv tani ka mbet vetëm në kujtime”, ka thënë Gërguri.
Ky aeroport tani është shndërruar në një fushë të madhe, ku fëmijët e shfrytëzoj për të luajtur.
Ky aeroport sot nuk është aktiv edhe pse shumë donator kanë shpreh interesin për të bërë një aeroport të vogël komercial.
Ndërsa një pjesë e këtij aeroporti tani shfrytëzohet nga Eulex-i për qëllime tjera.