Mbrëmë janë bërë publike rezultatet e testit me shkrim të cilit iu nënshtruan aplikantët për pjesëtarë të ri të Policisë së Kosovës.
Nga këto rezultate nuk dolën të kënaqur të gjithë, pasi janë 9 mijë e 822 prej tyre të cilët nuk arritën të kalonin fazën e parë, prej 70 pikëve.
Ndërsa 3 mijë e 844 të tjerë të cilët kaluan testin me shkrim tani do t’i nënshtrohen testit fizik që pritet të mbahet pas dy jave në Qendrën e Doktrinës dhe trajnimeve të FSK-së në Ferizaj.
E nga kandidatët të cilët kaluan pragun e parë, vetëm një prej tyre arriti rezultat 90 pikësh. 11 të tjerë mblodhën 88 pikë dhe të tjerët u renditën edhe më me pak pikë, raporton Indeksonline.
Nga mbi 17 mijë kandidatë të cilët dërguan aplikacionet e tyre për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës vetëm 13 mijë e 666 prej tyre iu nënshtruan testit me shkrim.
Ndryshe të gjithë kandidatët të cilët kanë vërejte lidhur me procesi ne rekrutimit dhe seleksionimit për fazat e testimit, kanë të drejtën e ankesës.
Ankesa duhet t’i adresohet Komisionit përzgjedhës në afatin prej 5 ditësh, që prej datës së publikimit të rezultateve.