Në cilësinë e Zëvendës Presidentit të AKR-së, Agim Bahtiri, ka kërkuar në mënyrë urgjente shkarkimi e Gjergj Dedajt nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Kosovës.

“Gjergj Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Bahtiri përmes një komunikate.

Andaj, thotë ai, duke mos dashur që heshtja ndaj deklaratave të papranueshme të Dedajt të kuptohet si pajtim me atë që ai ka thënë, kërkoj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që ta shkarkojë Dedajn nga të gjitha funksionet në institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, “pasi që mendoj se ky veprim do të mirëpritej nga qytetarët e vendit, të pakënaqur me deklaratat e tij të fundit, por edhe nga shtetet mike që kanë bërë shumë për Kosovën”, thotë Bahtiri.