Me rastin e festës së 1 Majit, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu u është drejtuar qytetarëve me një apel që kjo festë të kremtohet pa ndezjen e lëndëve të rrezikshme, siç janë gomat, plastika dhe kemikaliet ndryshme, njofton Llapi.info

Veliu ka thënë se mbështet kremtimin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, por jo në në mënyrat dhe format se si është festuar më parë.

“Komuna e Podujevës po realizon projekte mjedisore për ta bërë ambientin sa më të pastër dhe të bukur, andaj kërkojmë nga qytetarët që kjo festë të kremtohet pa e dëmtuar mjedisin në të cilin jetojmë. Apeloj që të shmangen praktikat e më hershme, të ndezjes së lëndëve të rrezikshme, të cilat dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e qytetarëve. I ftoj qytetarët, sidomos institucionet arsimore, por edhe prindërit të ndikojnë tek fëmijët dhe tek të rinjtë që mos të ndezin goma, plastika dhe kemikalie të ndryshme. Sepse, më të dëmtuarit janë vet fëmijët të cilët nuk i dinë pasojat e rënda të kësaj dukurie. Gjithashtu, kërkoj nga inspektorët e ambientit që t’i ndëshkojnë me gjoba në bazë të Ligjit të gjithë ata të cilët ndotin ambientin me ndezje të zjarreve. Po ashtu, i thërras organet e rendit që të ndihmojnë në këtë drejtim dhe të bashkëpunojnë me inspektorët për të qenë sa më efikas në parandalimin e ndotjes së mjedisit”, thuhet në mesazhin e kreut të Komunës, Agim Veliu./Llapi.info