Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, është treguar dorëlirë ndaj kompanisë kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Edhe pse në disa raste ai ishte ankuar se kjo kompani po e diskriminon Komunën e Podujevës me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, kjo nuk e ka ndalur që t’i kërkojë Kuvendit Komunal ta miratojë propozimin e tij për t’ia dhënë 10 parcela KEDS-it për 40 vjet pa asnjë kompensim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo mënyrë e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale është kritikuar nga disa parti opozitare.

Këshilltari i LVV-së, Bahri Selimi, ka thënë se komuna po i jep prona KEDS-it, ndërsa si shpërblim kjo kompani po e lë Podujevën në terr.

Edhe këshilltari i AAK-së, Nexhat Llumnica, ka thënë se nuk është e nevojshme t’i jepen KEDS-it prona në shfrytëzim pa kompensim.

Ndërsa ndryshe ka menduar shefi i Grupit të këshilltarëve G+, Kadri Avdiu. Ka thënë se duhet të miratohet ky propozim, pasi kjo është në interes të qytetarëve. Edhe këshilltari i LDK-së, Mirsad Kamerolli, ka thënë se as ai nuk pajtohet me mënyrën si është shitur KEK-u dhe me shërbimet që i ofron KEDS-i, po sipas tij, duhet t’ia japim në shfrytëzim këto parcela se është në interes të qytetarëve.

Ndërkohë, shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se ata kishin propozuar edhe më herët një shumë të vogël prej 0.5 centë për metër katror që të paguajë KEDS-i për këto prona, vetëm që të dihet se është pronë publike.