Këshilltari i VV-së në Podujevë, Fitim Haziri, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është kapur nga dy nënkryetarët e kësaj partie, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, njofton Llapi.info.
Këto komente Haziri i ka bërë, pasi Agim Veliu i reagoi kryetarit të VV-së Albin Kurti duke i thënë “se mund të flasë vetëm për partinë e tij, e jo për LDK-në”
Sipas Hazirit, Veliu ndihmohet nga PDK në zgjedhje lokale.
“Agim Veliu çdoherë kur e ka pasur n’zgripc në Llap në ndihmë për të mbledhur vota për të i ka dalë PDK-ja, siç ishte balotazhi në shtator të 2017-ës me LVV, ku ishin angazhuar të gjitha strukturat e PDK-së që vetëm e vetëm të fitojë Agim Veliu”, ka shkruar pos tjerash ai.
Postimi i plotë:
Jo Albin Kurtit, por Agim Veliu e Lutfi Haziri nuk i japin të drejtë të flasin as anëtarëve e strukturave të larta të LDK-së, sepse Veliu e Haziri e kanë kapur LDK-në, ashtu siç janë të kapur këta nga PDK-ja.
Agim Veliu çdoherë kur e ka pasur n’zgripc në Llap në ndihmë për të mbledhur vota për të i ka dalë PDK-ja, siç ishte balotazhi në shtator të 2017-ës me LVV, ku ishin angazhuar të gjitha strukturat e PDK-së që vetëm e vetëm të fitojë Agim Veliu.
Kështu ndodh gjithherë: PDK i ndihmon Veliut në Podujevë e Veliu ua ndreq pazaret PDK-së në qendër. Ky është borxhi që duhet kthyer.
Edhe pse vullneti i votuesve dhe i strukturave të LDK- së mund të jetë pro një koalicioni me LVV, qëllimi i Veliut dhe Hazirit është drejt një koalicioni me PDK-në në qeverisje.
Edhe tani në qeverisjen në Podujevë Veliu ka koalicion të fshehtë me PDK-në, ku çdo pikë e rendit të ditës në Kuvendin Komunal e mundësojnë të kalojë këshilltarët e PDK-së.
.