Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se do t’i takojë grumbulluesit e mjedrës në Llap për të diskutuar për çmimin që e kanë ulur në sezon.
Ai ka thënë se do ta shfrytëzojë çdo rrugë ligjore që kultivuesit e mjedrës të mos shkelen.
“Kisha ankesa dhe kërkova që të mos shkelen prodhuesit. Nesër do t’i ftojë në takim grumbulluesit. Unë do ta bëj të pamundurën që të mos shkelen prodhuesit e mjedrës, sepse konsideroj se është njëra ndër kulturat që ka punësuar shumë njerëz dhe ka krijuar të ardhura solide”, ka thënë Veliu për Indeksonline.
Ai ka thënë se nuk është duke kërkuar çmime të papërballueshme për grumbulluesit, por deri në nivelin e normales.
“Ka treg jashtë çmimin e kanë të mirë dhe grumbulluesit është mirë ta vendosin çmimin deri ku është normale, sepse këta nuk janë duke humbur. Unë po provoj ta bëj më të mirën për të dy palët, por asnjëherë të shkelet djersa e kultivuesve, sepse e kemi në top prioritet si komunë mjedrën dhe jemi në Kosovë kultivuesit kryesor. Nuk është e ndershme të luhet me çmim kur ata presin ta kenë një sezon të suksesshme”, ka thënë Veliu.
Ndryshe Podujeva po konsiderohet si qyteti i mjedrës për shkak të kultivimit në mas të madhe nga bujqit. Ndërsa kryetari i Komunës ka kërkuar para disa dite që të mos ulet çmimi i mjedrës në kohën kur është grumbullimi i tyre.