Kryetari i Komunës së Podujevës dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ia ka rikujtuar Vetëvendosjes se nuk zgjidhen problemet duke kryer akte vandale nëpër prona private.

Veliu ka thënë për Indeksonline se Vetëvendosje është mirë t’i kryej punët në kryeqytet dhe të mos i shqetësojë familjarët e kryeministrit Isa Mustafa.

“Para se të dalin rrugëve dhe t’i shqetësojnë njerëzit me sjellje jo demokratike, është mirë që t’iu sigurojnë qytetarëve 24 orë ujë, t’iu sigurojnë parking të mjaftueshëm, t’i mbyllin gropat dhe të mësohen me demokraci e jo me vandalizëm ndaj qytetarëve”, ka thënë Veliu për Indeksonline të mërkurën pas dite.

Veliu ka theksuar se ka kaluar koha e përmbysjes së sistemit me dhunë, duke shtuar se është vota e sovranit ajo që e përcakton se kush është për të udhëhequr me shtetin.

“Nuk është hera e parë që këta (Vetëvendosje) tregohen jo shtet ndërtuese. Forma e tyre e zgjidhjes së problemeve janë rrugët dhe jo institucionet. Kështu që rrugaçët nuk i duhen shtetit të Kosovës dhe as institucioneve, pra rrugaçët nuk i voton askush për ta udhëhequr shtetin. Më duhet t’ua përmendi se ka kaluar koha kur janë organizuar revolucione dhe përmbysje të sistemit me dhunë. Vetëvendosje duhet të mësohet me votën e sovranit dhe ta respektojë Kushtetutën dhe Flamurin e Kosovës. Është mirë të mësohen me Flamurin e Republikës së Kosovës dhe t’i ndalin sjelljet fashiste ndaj njerëzve që s’kanë lidhje me politikën, siç janë nipat dhe mbesat e kryeministrit Isa Mustafa që u shqetësuan nga ‘shokët dhe shoqet prroletariate’”, ka thënë Veliu.

Reagimi i Veliut vjen pasi Vetëvendosje organizoi një aksion në pronat e kryeministrit në Prapashticë, duke e akuzuar se po e shet Kosovën. Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës ka reaguar duke i quajtur fashist dhe duke u shprehur se ia kanë shqetësuar familjen.