Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka pritur në takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C) të KFOR-it, kolonelin Nicola Perrone, njofton Llapi.info
Këtë e ka bërë të ditur vetë Veliu përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke thënë se në këtë takim gjendja e sigurisë në Podujevë u vlerësua e qetë dhe stabile, edhe përkundër që brenda pak ditësh ndodhën dy plaçkitje me armë në këtë Komunë.
“Sot prita në takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C) të KFOR-it, kolonelin Nicola Perrone, me të cilin biseduam për gjendjen e sigurisë në vend dhe në Podujevë. Bashkërisht vlerësuam se gjendja e sigurisë në komunën tonë vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Kjo falë angazhimit të KFOR-it dhe bashkëpunimit të mirë me Komunën dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë. Bashkëpunimi i ngushtë me KFOR-in do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, si në sferën e sigurisë ashtu edhe në fusha të tjera, me interes për qytetarët tanë”, ka shkruar Veliu./Llapi.info