Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, vizitoi sot fshatin Shajkoc, ku janë duke u zhvilluar punimet në ndërtimin e një segmenti të trotuarit përgjatë rrugës kryesore të këtij fshati, transmeton Llapi.info
Gjatë vizitës në fshatin Shajkoc, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga Faik Muçiqi- drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, përcolli nga afër punimet në ndërtimin e trotuarit në një gjatësi prej 700 metrash.
Gjatë inspektimit të punimeve kryetari Veliu tha se ky projekt po realizohet në kuadër të planifikimeve të ndërtimit të trotuareve gjatë këtij viti në qytet dhe në disa fshatra.
“Me ndërtimin e trotuareve në qytet dhe fshatra, po krijojmë kushte për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt të qytetarëve, e sidomos nxënësve në akset afër shkollave”, ka thënë Veliu.
Në kuadër të investimeve kapitale, Komuna e Podujevës me buxhetin e këtij viti, ka planifikuar ndërtimin e trotuareve në gjatësi prej mbi 12 km.
Deri tash ka përfunduar ndërtimi i trotuarit në dy segmente rrugore në qytet, në Rrugën “Vilsoni” dhe “Rruga e Dëshmorëve” në një gjatësi prej rreth 800 metrash.
Në kuadër të këtij projekti janë edhe ndërtimi i trotuareve në Rrugën “Llapi” dhe “Vëllezërit Frashëri” në qytet, segmentit që lidh fshatrat Bajçinë dhe Letanc, segmente rrugësh në fshatrat Dumosh, Dobratin dhe Llapashticë, në një gjatësi të përgjithshme prej 6.2 km.
Janë në procedurë të tenderimit projektet për ndërtimin e trotuareve në segmentin Dumnicë e Poshtme – qytet, Rruga “Ali Ajeti” – Surkish dhe segmentet në fshatrat Halabak, Batllavë-Gërdoc, Sekiraqë dhe Peran (te shkolla), në një gjatësi të përgjithshme prej 6.1 km./Llapi.info