Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është shprehur i lumtur me rrënimin e objektit të bibliotekës së vetme të qytetit, shkruan Llapi.info
Këto komente i pari i Podujevës, Agim Veliu, i ka bërë në debatin publik me qytetarë, dhe pas kërkesës së këshilltares së VV-së, Adelina Stublla, e cila a ka cilësuar si brengë mungesën e një biblioteke në Podujevë, sipas saj tash e 5 muaj.
“A jeni në dijeni se të rinjtë llapjanë qe 5 muaj nuk kanë bibliotekë, kurse punëtorët paguhen (marrin pagë) dhe janë në pushim të pa caktuar?”, iu drejtua Stublla, kryetarit Veliu.
Ndërsa, Veliu u shpreh se rrënimi i atij objekti e ka bërë të lumtur, pasi që është bërë zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës së “xhamisë”.
“Podujeva pa bibliotekë, jam shumë i lumtur që ai objekt është rrënuar. Në atë pjesë është bërë ndërtimi i rrugës buzë lumit Llap e cila i hap rrugë ndërtimit të projektit madhor, ‘Bulevardit të Dëshmorëve’”, ka thënë ai.
Kurse, drejtorët komunalë janë shprehur se do t’i bëhet një zgjidhje bibliotekës.
Kujtojmë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur debatin e dytë publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për ecurinë e realizimit të projekteve në investimet kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019.
Në debat, Veliu tha se janë asfaltuar 90 për qind e rrugëve, derisa ishin kërkesat e qytetarëve për asfaltimin e rrugëve dhe premtimet që sipas tyre i ka bërë i pari i Podujevës, Agim Veliu dhe drejtorët komunalë.
“Edhe në këtë vit investimet kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë. Jemi në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, ku nëse e marrim me përqindje janë asfaltuar rreth 90 % të rrugëve nga rreth 1,300 rrugë publike sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë”, ka thënë Veliu./Llapi.info