Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka përkujtuar veprimtarin Enver Maloku, në 21-vjetorin e vrasjes së tij, njofton Llapi.info.
Duke përkujtuar veprimtarin, Veliu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin vrasjen e Enverit.
“Sot, në 21 vjetorin e vrasjes së tij, e kujtojmë Enver Malokun, intelektualin, publicistin dhe veprimtarin e guximshëm të çështjes kombëtare. Enveri, që ishte bashkëpunëtori i presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova, ka lënë gjurmë të pashlyera në publicistikën kosovare. Atdhedashuria, mençuria dhe guximi intelektual ishin arma e tij më e fuqishme për të plasuar të vërtetën tonë në vitet më të vështira, kurse me vrasjen e tij u provua të shuhej fjala e lirë dhe agu i lirisë së Kosovës. Ashtu siç është i pavdekshëm kontributi i tij intelektual e kombëtar, i përjetshëm është mesazhi që përçoi ai në botë për vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Edhe sot, në këtë përvjetor, u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin vrasjen e Enverit dhe vrasësit të dalin para drejtësisë, sepse vetëm atëherë do të ketë qetësi për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka shkruar Veliu në Facebook./Llapi.info