Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në debatin e dytë publik me qytetarë, është shprehur se në pranverë të vitit 2019 do të nis komplet ndërtimi i ‘Bulevardit të Dëshmorëve’, njofton Llapi.info

Ishte qytetari, Ardi Hasani, ai që kërkoi shpjegime për rrugën e qendrës dhe përdorimin e kubëzave në të dyja anët e rrugës kryesore, si dhe prishjen e të njëjtës rrugë që sipas tij, u shtrua para një viti.

Me këtë rast, Veliu tha se përdorimi i kubëzave në rrugën kryesore, është e përkohshme. Ndërsa, i pari i Podujevës, Agim Veliu nuk dha ndonjë koment rreth prishjes së rrugës e cila u shtrua vitin e kaluar me kosto rreth 200 mijë euro.

“…Përdorimi i kubëzave në rrugën kryesore të Podujevës, “Zahir Pajaziti”, është bërë me qëllim që të mos harxhojmë buxhet duke e shtruar me asfalt, por është bërë me kubëza përkohësisht deri në pranverë kur edhe pritet të bëhet hapja e tërësishme e sheshit”, ka thënë ai.

Të njëjtën përgjigje për vendosjen e kubëzave në rrugën kryesore, e ka dhënë edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë Komunë, Hamdi Jaha.

Ndryshe, në këtë debat, Veliu dhe drejtorët e Drejtorive informuan për qytetarët për ecurinë e realizimit të projekteve në investimet kapitale për vitin 2018 dhe projektet prioritare për vitin 2019. Veliu tha se janë asfaltuar 90 për qind e rrugëve, derisa ishin kërkesat e qytetarëve për asfaltimin e rrugëve dhe premtimet që sipas tyre i ka bërë i pari i Podujevës, Agim Veliu dhe drejtorët komunalë.

“Edhe në këtë vit investimet kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë. Jemi në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, ku nëse e marrim me përqindje janë asfaltuar rreth 90 % të rrugëve nga rreth 1,300 rrugë publike sa janë të evidentuara në territorin e Komunës sonë”, ka thënë Veliu./Llapi.info