Sot shënohet 5 maji, Dita e Dëshmorëve në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info

Përderisa nuk është organizuar ndonjë program në shënimin e kësaj dite, një delegacion i Komunës ka bërë homazhe pranë shtatoreve të heronjve llapjanë, në nderim të veprës së tyre.

Ndërsa, i pari i Podujevës, Agim Veliu i cili gjendet në një udhëtim në Gjermani, ka kujtuar përmes një postimi në Facebook dëshmorët dhe të rënët.

“Në Ditën e Dëshmorëve dhe të Rënëve kujtojmë me nder të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën e lirë. Dëshmorët dhe të rënët janë çmimi i lirisë sonë, andaj sot nderojmë sakrificën sublime për çlirimin dhe pavarësinë e vendit”, ka shkruar Veliu.

Ndryshe, Veliu gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se me vizitën zyrtare në Gjermani do të merr pjesë në aktivitetet që do të organizohen për nder të Ditës së Evropës./Llapi.info