Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar pas vdekjes së legjendës së futbollit të Kosovës, njofton Llapi.info.
Veliu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vokrri ishte i suksesshëm fushë, sukses të cilin e barti edhe jashtë saj, duke udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në mekanizmat kulmore të futbollit.
Postimi i plotë i Veliut:
Jam i trishtuar nga lajmi i hidhur që mora sot për shkuarjen e papritur në amshim të mikut tim që nga koha e rinisë, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, legjendës, Fadil Vokrri.
Fadili ishte i suksesshëm në fushë, sukses të cilin e barti edhe jashtë saj, duke udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në mekanizmat kulmore të futbollit.
Kur misioni i tij po përmbushej, kur futbollit të Kosovës i hapi dyert në familjen e madhe europiane dhe botërore, dhe kur fokusi i Fadilit u kthye në angazhim për ngritjen e cilësisë dhe sukseset e futbollit në Kosovë, vdekja tinëzare e mori fizikisht, për ta përjetësuar në mendjet dhe zemrat e secilit prej nesh.
U prehsh në paqe miku im i çmuar Fadil Vokrri!