Është bërë përurimi i ndriçimit publik prej 2.7 km në rrugën magjistrale Podujevë – Merdar, njofton Llapi.info.
Kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sonte ka bërë përurimin e ndriçimit publik në segmentin e mbetur në gjysmë të kilometrit të parë të magjistrales Podujevë – Merdar, me gjatësi prej rreth 3 km.
Me këtë rast, Veliu ka thënë se realizimi i këtij projekti është bërë nga buxheti i Komunës edhe pse kjo pjesë e rrugës ka karakter nacional.
“Ky është segmenti i dytë i rrugës nacionale Podujevë – Merdar. Gjatësia 3 kilometra, sepse pjesa e parë e këtij projekti është realizuar në vitin e kaluar dhe sot me këtë përuruam që bëmë kemi mbërritur deri në pikën kufitare. Edhe pse është kjo rrugë e karakterit nacional, Komuna e Podujevës ka ndarë mjete buxhetore nga buxheti i saj për ta bërë ndriçimin e kësaj rruge, duke pasur parasysh se lëvizja është shumë e madhe në këtë segment rrugor, për arsye se është hyrja kryesore në Kosovë”, ka thënë Veliu.
Ndërkohë, deri më tani ka qenë me ndriçim publik deri në fshatin Shtedim, gjersa sot është finalizuar pjesa tjetër. Sipas Institutit për studime të avancuara, GAP, në këtë tender për ndriçimin e sotëm është përfshirë edhe ndriçimi në Orllan-vazhdimi dhe nga dalja e qytetit – Peran, me vlerë prej 148,417 euro./Llapi.info