Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Smajl dhe Nazmije Segashin, prindërit e Armelës, e cila humbi jetën në sulmin e armatosur të 22 Korrikut në Munih të Gjermanisë.

Gjatë takimit me prindërit e Armelës, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka ndarë dhimbjen dhe i ka ngushëlluar ata për tragjedinë që e goditi familjen Segashi, me rastin e vrasjes së vajzës së tyre në sulmin kriminal në Munih të Gjermanisë.

“Vrasja e Armelës i ka tronditur thellë të gjithë, por se edhe në këtë humbje të madhe familja duhet të gjejë forcë për ta përballuar dhembjen” tha Veliu, njofton Llapi.info.

Prindërit e Armelës, Smajli dhe Nazmija, e falënderuan kryetarin Veliu për interesimin e treguar dhe ndarjen e dhembjes me rastin e vdekjes së bijës së tyre.

Në shenjë respekti për familjen Segashi, Veliu ua dhuroi prindërve të Armelës plaketën me emblemën e Komunës së Podujevës.

Për interesimin e treguar me rastin e tragjedisë në familjen Segashi, një plaketë tjetër me emblemën e Komunës së Podujevës në shenjë mirënjohje, përmes familjes Segashi, Veliu ia dhuroi edhe kryetarit të Munihut, ku banon familja Segashi./Llapi.info