Në kohën kur zërat që kryetari i Podujevës, Agim Veliu është afër të merr postin e kryetarit të LDK-së, janë rritur, atë e ka takuar ish-kryetari i Skenderajt dhe një nga njerëzit më me ndikim në PDK, Sami Lushtaku.Takimi i tyre është zhvilluar në njërin nga restaurantet e njohura në hyrje të Podujevës.
Takimi mes Veliut dhe Lushtakut, është tentuar të zhvillohet pa praninë e njerëzve tjerë.
Burime të Gazeta Blic, brenda restaurantit Nobel, bëjnë të ditur se në kohën kur ka ndodhur takimi mes Lushtakut dhe Veliut, është mbyllur lokali për klientë.Madje, pronari i restaurantit nuk ka lejuar që kamerierët t’i shërbejnë Veliut dhe Lushtakut.Pronari i lokalit, e ka bërë shërbimin vetë, teksa takimi mes tyre ka zgjatur rreth një orë.
Gazeta Blic ka tentuar brenda ditës që të flasë me protagonistët, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.Sami Lushtaku e ka pasur të mbyllur telefonin, teksa Agim Veliu nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë e as në mesazhet e dërguara.
Kohëve të fundit, janë shtuar zërat që Veliu, është pretendenti kryesor për ta zëvendësuar Isa Mustafën, në postin e kryetarit të partisë.Këtë gjë nuk e ka mohuar asnjëherë Veliu, duke e lënë të kuptohet se ai do të kandidojë në Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, që do të mbahet më 3 gusht të këtij viti.
Po ashtu janë shtuar akuzat ndaj Veliut për lidhjen e tij me Partinë Demokratike të Kosovës.Shto këtu faktin, që shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kohë më parë publikisht e pati akuzuar Veliun se kishte qenë shkaktari kryesor në prishjen e koalicionit VLAN (Vetëvendosje, LDK, AAK, NISMA).
Menjëherë pas prishjes së këtij koalicioni në vitin 2014, Lidhja Demokratike, kishte hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ku kishin qeverisur së bashku deri në prill të vitit 2017.Kurse, Sami Lushtaku edhe më tutje mban një pozitë të fortë brenda PDK-së.Ai është kryetar i njërit nga bastionet kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, atë të Skenderajt.
Ndërkohë, tash pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, po përflitet se presidenti Thaçi dhe PDK po mundohen me çdo kusht të mos e çojnë vendin në zgjedhje të reja, gjegjësisht të gjejnë partner të ri për bashkëqeverisje.