Kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka vizituar punimet në segmentin e dytë të rrugës “Zahir Pajaziti”, njofton Llapi.info.

Më këtë rast, i pari i Komunës ka thënë se këto punime janë përcjellë me tërë infrastrukturën nëntokësore, ndërsa ka fajësuar kompanitë publike KRU ‘Prishtina’ dhe KEDS-in për mospërkrahje. Ai ka shtuar se është në dijeni për dinamikën e punimeve.

“Kanë hyrë në fazën përfundimtare punimet në zgjerimin dhe asfaltimin e segmentit të dytë të rrugës “Zahir Pajaziti” në qytet. Punimet në realizimin e këtij projekti janë përcjellur edhe me rregullimin e tërë infrastrukturës nëntokësore, rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit, rrjetit elektrik dhe telefonisë. Kjo ka bërë që në dinamikën e kryerjes së punimve të ketë vështirësi edhe për shkak të mos përkrahjes dhe asistencës së pamjaftueshme të kompanive publike si: KRU “Prishtina” dhe KEDS-i”, ka deklaruar Veliu në një postim në Facebook.

Sipas Veliut, pas asfaltimit të rrugës do vazhdohet në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik.

“Edhe më këtë rast dua të falënderoj banorët dhe bizneset që shtrihen përgjatë kësaj rruge, për mirëkuptimin e treguar gjatë realizmit të këtij projekti, sepse jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë zhvillimit të punimeve, duke pasur parasysh faktin se kishte pengesa në dinamikën e kryerjes së punimeve, shkaku i natyrës dhe ndjeshmërisë së projektit”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë, për këto punime kritika të shumta kanë hedhur opozita në drejtim të ekzekutivit, pasi që siç thoshin këshilltarët opozitarë, është keqpërdorë paraja publike në këto punime. Sipas tyre, asfalti i shtruar pak kohë para zgjedhjeve lokale me kosto rreth 160 mijë euro është shkatërruar përsëri./Llapi.info

Image may contain: 3 people, people standing and outdoor