Në Kuvendin Komunal të Podujevës, sot është thirrur seanca e rregullt ku për rend dite ishin shtatë pika, njofton Llapi.info
Mirëpo, kjo seancë është shtyrë për disa orë pasi që mbledhjen e bojkotuan partitë opozitare të Podujevës. Krejt kjo, pasi që në këtë seancë është paraparë të raportojë edhe i pari i Podujevës, Agim Veliu, por ai ka munguar.
Mungesën e tij të sotme dhe në çdo mbledhje tjetër e kanë kundërshtuar grupet opozitare në asamblenë komunale.
Sipas shefit të grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri, në planin e punës së Kuvendit ka qenë pikë e rendit të jetë edhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu.
“Kryetari është duke e injoruar vazhdimisht Kuvendin dhe ne nuk do të pranojmë një injorim të tillë. Ne VV në mënyrë demonstrative do ta bojkotojmë këtë seancë”, ka thënë Haziri.
Edhe shefi subjektit të PDK-së, Rafet Llapashtica, duke vendosur që të bojkotohet kjo mbledhje, ka thënë se i pari i Podujevës nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë prej se është betuar si kryetar.
Sipas tij, Veliut nuk i interesojnë çështjet dhe problemet që asamblistët i paraqesin në Kuvend.
Pasi këto dy subjekte lëshuan sallën, në fillim nuk kishte kuorum. Por, këshilltarja e AAK-së, Mrika Thaçi e cila ka aderuar pak muaj më parë nga LDK është kthyer në mbledhje me ç’rast edhe është mbajtur seanca./Llapi.info