Për deklaratat e Vjosa Osmanit të dhëna ditën e djeshme, se në LDK qarkullojnë qarqe që i shërbejnë PDK-së, ka folur njëri nga udhëheqësit e LDK-së, Agim Veliu, i cili ka thënë se këto deklarata janë të Facebook-ut.

Veliu ka thënë se nuk e di se çfarë lidhje ka Vjosa me PDK-në e me SHIK-un, dhe as nuk do që t`i komentojë ato, që siç ka thënë ai, nuk merret me deklarata të këtij lloji.

“Vjosa të mos merret me deklarata të Facebook-ut. Ajo e ka marr përgjigjen prej Kuvendit dje. Opinioni e anëtarësia e dinë që unë nuk jam prej atyre. Nuk e di në kënd ka aluduar ajo. Ajo është mirë t`i shikoj punët e veta si i ka. Çfarë lidhje ka ajo me PDK e me SHIK-un, e dinë vetëm ajo, e është mirë së pari me i shiku punët e veta e pastaj me përhap dezinformata”, ka thënë Veliu për Indeksonline.

Ai ka thënë se LDK-ja e ka bërë haptas marrëveshjen me PDK-në, ku si pasojë e kësaj tash janë në qeverisje.
E sipas Veliut, nëse këta njerëz që thonë se LDK-ja i shërben PDK-së do të bënin fushatë më të mirë, LDK-ja do t`i kishte punët pak më mirë se partia me të cilën është në koalicion.

“Sikur këta njerëz të kishin dalë me bë fushatë, tani LDK-ja do të ishte edhe pak më mirë. Por, këta janë disa figura që në këso situatash zgjohen dhe japin epitete të ndryshme, duke u munduar ë bëjnë fushatë kundër LDK-së”, është shprehur ai.

Sipas Veliut, njerëzit që kanë përfituar më së shumti nga LDK-ja, janë ata që merren me këso lloj deklaratash e fushatash. Por, ai ka thënë se LDK-ja po rritet dhe do t`i tejkalojë të gjitha këto.

“Zakonisht ata që kanë përfitu prej LDK-së sillën në mënyrë të papërgjegjshme, sepse kanë ardhë në pozitë duke punuar dikush tjetër për ta. U është ofruar e mira në pjatë. LDK-ja do t`i tejkalojë të gjitha këto, sepse është parti me traditë, e fuqishme”, ka shtuar Veliu për Indeksonline.

Madje, ai ka thënë se këta njerëz që i vënë epitete LDK-së, zakonisht kur nuk u plotësohet ndonjë dëshirë, fillojnë e bëjnë tregti e pazare.

Lidhur me atë se a do të shuhet LDK-ja pas zgjedhjeve të djeshme, siç kanë deklaruar disa analistë, Veliu ka thënë se edhe më herët ka pasur kësi deklaratash, por që LDK-ja është shumë stabile.

“LDK-ja është stabile. Atë nuk e mbajnë analistët as askush tjetër, atë e mban anëtarësia e saj besnike. LDK-ja po rritet”, ka përfunduar Veliu./IO