Agjencia për ndihmë juridike ka shtrirë rrjetin e saj falas edhe në territorin e Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.
Ky vendim është marrë sot në takimin e zhvilluar mes kreut të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtoreshës së Agjencisë për Ndihmë Juridike, Anita Alaj-Kalanderi.
‘Sot kemi zhvilluar takim me drejtoreshën e Agjencisë për Ndihmë Juridike, Anita Alaj Kalanderi, qëllimi i këtij takimi ishte që Agjencia për Ndihmë Juridike të ofrojë shërbimet e saj edhe në Komunën e Podujevës. Gjatë këtij takimi tejet konstruktiv jemi pajtuar në parim që ky agjencion të shtrijë veprimtarinë e saj edhe në Komunën tonë. Ky bashkëpunim është mes Agjencisë për Ndihmë Juridike, Komunës së Podujevës dhe GIZ-it gjerman si bashkëfinancues”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.
Më tej, Bulliqi ka bërë të ditur se nga muaji korrik do të vendoset zyra për këshilla juridike, e cila do të jetë falas për qytetarët llapjanë.
“Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Komunës sonë, ku tash e tutje do ta kenë një adresë ku mund të marrin shërbime juridike falas për t’i shfrytëzuar të drejtat e tyre. Siç u dakorduam në takim ne si institucion do t’i kryejmë të gjitha obligimet që na takojnë dhe ky projekt pritet të implementohet nga muaji korrik dhe do të vendoset zyra për këshilla juridike falas për të gjithë qytetarët”, ka thënë tutje Bulliqi./Llapi.info