Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media i kanë cilësuar si linçime të rrezikshme për lirinë e shprehjes, sulmet që dy zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha dhe Sami Kurteshi, i kanë bërë në drejtim të gazetarit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi.
Hoxhës dhe Kurteshit nuk iu kanë pëlqeyr pyetjet që Adriatik Kelmendi ka zgjedhur t’ia bëjë liderit të VV’së, Albin Kurtit, i cili tashmë drejton qeverinë e Republikës së Kosovës.
Për Kurteshin pyetjet e Adriatik Kelmendit janë ‘policore’, ndërkohë Elivs Hoxhës nuk i ka pëlqyer pyetja e Kelmendit se a ka ndryshuar Albin Kurti.
Një qasje e tillë e zyrtarëve të VV’së sipas AGK’së dëmton lirinë e mediave, ndërkohë kanë kërkuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje që të distancohen nga linçime të tilla që sipas AGK’së janë të rrezikshme për demokracinë.
Reagimi i plotë i AGK’së:
Linçimet e Sami Kurteshit dhe Elvis Hoxhes ndaj Adriatik Kelmendit, të rrezikshme për lirinë e shprehjes
PRISHTINË, 13.02.2020 – Linçimet publike të bëra nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Elvis Hoxha, ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi, për AGK-në janë tejet shqetësuese dhe paraqesin cenim të integritetit personal dhe profesional ndaj gazetarëve.
Në një postim të z. Kurteshit, pyetjet e shumë gazetarëve ndaj Kryeministrit cilësohen si policore, por jo politike.
“Kjo është e frikshme, sepse dëshmon për edukimin e tyre profesional.” – ka shkruar z. Kurteshi në kohën kur po transmetohej intervista e kryeministrit Albin Kurti në Rubikon të KTV-së.
Ndërkaq, në postimin e z. Hoxhes, ai disa herë i referohet gazetarit Kelmendi, si cinik dhe dinak.
“Pyetjet e djeshme të gazetarit të Rubikonit përmbanin të njëjtën cektësi cinike si dhe më parë. Me cektësinë dinake ai nuk kuptonte që kryeministri po i jepte dinjitetin e vendit duke i dhënë të drejtë tri herë gjatë bisedës. Nga ana e vet gazetari drejtonte të njëjtën pyetje pesë apo gjashtë herë.” – thuhet në postimin e tij.
Kjo nuk është hera e parë kur zyrtarë partiakë linçojnë gazetarë, autorë e drejtues mediesh, duke pretenduar që tu tregojnë edhe si duhet ushtruar profesioni i tyre. Ne si Asociacion i Gazetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje zyrtarëve të LVV-së që t’i ndërpresin këto praktika të linçimit, me tendencë të frikësimit të gazetarëve. Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës kur në pyetje është liria e shprehjes dhe liria e gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre.
AGK po ashtu kërkon nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i bëj thirrje partisë së tij të distancohet nga linçimet e tilla të rrezikshme për demokracinë dhe të kontribuojnë për një mjedis më të mirë, ku të gjithë mund të shprehen lirshëm dhe ku gazetarët mund ta ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar nga askush.