Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka zgjedhur Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shkruan Llapi.info.
Bëhet fjalë për Ahmet Ismajlin, i cili vjen nga komuna e Podujevës.
Ismajli mori 56 vota të deputetëve të pranishëm, kundrejt 4 sa mori kundërkandidati i tij, Lulzim Ismajli.
Këta dy emra morën mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 150-të të ekzekutivit.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 150-të me radhë, në mënyrë elektronike, në të cilin ka miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë mendim lidhur me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.
“Me vendimin e miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën për media.
Paneli zgjedhor për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore ka dërguar në Qeveri dhe në Kuvend të Kosovës dy emrat e kandidatëve me më shumë pikë, të përzgjedhur për këtë pozitë.
Në njoftimin e BQK-së thuhet se, mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve të përzgjedhur si në vijim: Ahmet Ismaili – (84.67 pikë, nga 100 maksimale), Lulzim Ismajli – (73.67 pikë, nga 100 maksimale).
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte përsëritur konkursin për guvernator të ri pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës.
BQK-ja aktualisht udhëhiqet nga U.D. i guvernatorit, Bashkim Nurboja, i cili e ka marrë këtë detyrë pasi që Fehmi Mehmetit i ka skaduar mandati i guvernatorit më 29 mars të këtij viti.