Partia Socialdemokrate i ka dërguar kërkesë kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që të ndërpresë pushimin e Kuvendit dhe të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovë arsyet se pse e kanë bërë një veprim të tillë.
“Ne kemi dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës kërkesë nga PSD-ja që të ndërpritet pushimi i deputetëve dhe të kthehemi sepse realisht jemi në një fazë tepër kritike për Kosovën”.
“Duke marrë parasysh që nevojiten gjashtë nënshkrime pra 5 % e deputetëve që të thirret mbledhja e Kryesisë, ne kemi mbledhë 12 nënshkrime të PSD-së pra 10 % e deputetëve, në mënyrë që të thirret mbledha e Kryesisë”.
“Kadri Veseli në përgjigjen e tij lidhur me këtë kërkesë thotë se sesioni pranveror në Kuvend ka përfunduar punimet më 30 korrik dhe për këtë ka njoftuar kryesuesi i seancës dhe se sesioni vjeshtor fillon punimet të hënën e dytë të muajit shtator”.
“Gjatë vikendit patëm këtë krizën e radhës – kur flitej për shpallje të autonomisë nga komunat e veriut, flitej për një intervenim të mundshëm të Forcave Speciale, flitej për KFOR-in dhe NATO-n që ruajnë liqenin e Ujmanit”.
“Gjithashtu flitej se presidenti po flet për korrigjim kufijsh, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës po thonë se gjithçka që merren vesh palët për neve është në rregull që për herë të parë nuk i përjashtojmë disa tema. Çuditërisht Vuçiqi dhe Vulini fillojnë ta përdorin termin ‘korigjim kufijsh’ në të njëjtën kohë kur Thaçi fillon ta përdorë”.
“Në këtë situatë të shkohet në pushim deri javën e dytë të shtatorit me të vërtetë është e pakuptueshme për neve. Sikur ky Kuvend të kishte kaluar shumë ligje dhe t’i kishte qindra diskutime dhe ta përmbushte planin e vet të punës, atëherë do të thonim se e kanë merituar pushimin”.
Ahmeti në Info Magazine të Klan Kosovës ka kritikuar gjithashtu punën e Kuvendit gjatë gjithë sesionit pranveror.
Po ashtu, i pari i PSD-së ka thënë se do të bëjnë përpjekje që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme.
“Numri i ligjeve që janë kaluar është i paktë, kalendari legjislativ është tepër vonë. Nuk kanë kaluar plot ligje, nuk kemi rishikim të buxhetit dhe po shkojmë gjashtë javë në pushim, me rroga nga dy mijë euro ku takohen një herë në javë në Komisione, mos të ma marrin për keq deputetët, por nuk mendoj se është situatë ku duhet të jemi pushim”.
“Do të kërkojmë zyrtarisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosja që t’i mbledhim 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme”.
“Sot e lexova një deklarim të deputetes Albulena Haxhiu e cila tha se nuk jemi të interesuar për të vazhduar. Tha se duhet të bëjmë padi për gjenocid, të kemi reciprocitet të plotë me Serbinë dhe kishte disa pika të tjera që do të ishte mirë t’i diskutojmë në Kuvend”.
“Nëse ka dakordim të të gjithëve pse mos të kalojnë këto pika por prej pushimit reciprociteti me Serbinë nuk bëhet”.
“Duhet ta diskutojmë këtë çështje ashtu si është – nuk është e drejtuar nga deputetët individualë, është mirë që Kryetari i Kuvendit të thërrasë së paku mbledhjen e Kryesisë që të diskutohet se situata është tepër e rrezikshme”.
“Në anën tjetër caktohet mbledhja e radhës Thaçi-Vuçiq në fillim të shtatorit, atje në Bruksel thuhet se janë të gatshëm të diskutojnë për gjithçka”.
“Po ashtu marrim vesh tash se draft-statuti i Asociacionit është dorëzuar në Bruksel. Nga kush është dorëzuar, a e ka aprovuar Qeveria e Kosovës atë, për çfarë Asociacioni dhe çfarë kompetencash po flasim. Nëse kjo nuk diskutohet në Kuvend, nuk e di ku duhet të diskutohet”.