Ajet Potera nga Lëvizja Vetëvendosje po shihet si kandidati kryesor për kryetar të Podujevës i cili pritet që ta rrezikojë ulësen e Agim Veliut, i cili këtë post e mban që shumë vite.

Ndonëse Potera ka pak kohë që është kyçur në LVV në Podujevë ai ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm të votave në zgjedhjet qendrore në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Ai ka marrë besimin e 5780 votuesve ndonëse Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka marrë më shumë se 10 mijë vota.

Në zgjedhjet e 11 qershorit u rëndit si partia e dytë më e votuar në Podujevë me 32.73%, menjëherë pas LDK-së e cila arriti të marr 39.59 të votave të elektoratit.

Por kush është Ajet Potera?

Ajet Potera u lind më 9 korrik të vitit 1972 në Komunën e Besianës. Si aktivist i ri, ai ka qenë pjesë e shumë organizimeve politike në radhët e LPK-së. Në vitin 1998 është kthyer në Kosovë nga Gjermania, me motivin e vetëm për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.

Ai është invalid i luftës i plagosur me 24 prill 1998 në Baballoq të Deçanit. Pas përfundimit të luftës ka shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Me shndërrimin e saj në Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ajet Potera ka shërbyer si udhëheqës i Departamentit të Komunikimit gjatë viteve 2009-2011 dhe si udhëheqës i Departamentit të Financave gjatë periudhës 2011-2016.

Ai ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Prishtinës, kurse studimet e nivelit Master i ka mbaruar në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Mojsiu” në vitin 2012 në Tiranë. Së fundmi, në vitin 2015 ka mbaruar Shkollimin Ndërkombëtar për Shtab të Përgjithshëm dhe Siguri Evropiane, në Akademinë Ushtarake Gjermane në Hamburg dhe në Bruksel.