Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti, ka reaguar në lidhje me punimet të cilat kanë filluar para tri viteve në zgjerimin e rrugës Podujevë – Prishtinë, njofton Llapi.info

Sipas të parit të kësaj partie, as edhe një e katërta e segmentit Lluzhan-Gllamnik nuk është përfunduar as pas 200 ditëve, e pak ato punime që janë sipas Ajetit, janë bërë jashtë standardeve.

“Më 11 maj 2018 zotria jote deklaroi: “Sot jemi duke e filluar një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me Podujevën, përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto të përafërt rreth 5 milionë euro, ndërsa punët do të kryhen për 200 ditë.”, fjala është për LLotin 5, segmentin Lluzhan –Gllamnik me gjatësi 4 km me kosto afërsisht 5 milion. Sot është data 11.05.2019, pra plotë një vit 200 ditët tuaja ishin më 30.11.2018 dhe as një e katërta e Llotit nuk ka përfunduar. A nuk është kjo rrenë, mashtrim, injorim? Edhe atë pak punë e keni bërë jashtë standarteve, jeni duke e arnuar për çdo ditë”, ka shkruar ai.

Më tej, Ajeti ka shtuar se projekti i kësaj rruge nuk është dërguar edhe pse ishte kërkuar, vendim ky i cili ishte marrë në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvendin Komunal.

“Shefi i kabinetit tuaj ka deklaruar “tenderin e kanë fituar dy kompani vendore “Rukolli” dhe “Al Trade”, por asnjë mekanizëm, që tani punojnë, nuk kanë shenjat e këtyre kompanive. U është kërkuar qasje në dokumente zyrtarisht nga Kuvendi Komunal dhe Drejtoria e Urbanizmit i Besianës,që t’i ofroni projektin nuk e keni mundësuar, keni shkelur Ligjin nr.03/L-215 për Qasje në Dokumente Zyrtare dhe nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse nuk keni dashur t’iu bëhet publike qytetarëve devijimi i projektit dhe maliverzimet me bazë korruptive”, ka përfunduar ai./Llapi.info

Image may contain: 5 people, people standing and suit