Zyra Ligjore e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka ushtruar padi ndaj institucionit të Komunës së Podujevës për pronën e kontestuar, ku kishte vepruar ish-ndërmarrja shoqërore “Fapol”, shkruan sot Koha Ditore.
Në kërkesëpadinë e AKP-së, e cila është bërë në emër të NSH “Fapol”, thuhet se Komuna e Podujevës jashtëligjshëm kishte ndryshuar titullarin e kësaj prone. Edhe pse ky kontest pronësor është prej disa vjetësh, AKP-ja ka ushtruar padi ndaj Komunës vetëm pasi këtë vit Kuvendi Komunal kishte marrë vendim për ndarjen e një pjese të kësaj prone për ndërtimin e një palestre sportive.
Në kërkesëpadinë e AKP-së kërkohet të vërtetohet se NSH “Fapol” me seli në Podujevë është pronare legjitime e ngastrës kadastrale me r. 1541, me sipërfaqe prej 2 hektarësh, zona kadastrale Podujevë, e cila gjendet në rr. “Zahir Pajaziti” nr. 196, afër kryqëzimit të magjistrales Podujevë-Prishtinë.
Më tej kërkohet që të detyrohet e paditura, Komuna e Podujevës, që “Fapolit” t’ia njohë të drejtën e pronësisë në paluajtshmërinë nga alineja II e dispozitivit të këtij aktgjykimi dhe të lejojë që kjo paluajtshmëri të regjistrohet në regjistrin kadastral të Komunës së Podujevës në emër të paditëses (“Fapol”), në afatin prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.
Në kërkesëpadinë e AKP-së të bërë në emër të ndërmarrjes shoqërore “Fapol” thuhet se kjo e fundit është pronare e pakontestueshme e patundshmërisë, ngastra kadastrale nr.1541, me sipërfaqe prej 02,00.00 ha, zona kadastrale Podujevë e cila gjendet në rr. “Zahir Pajaziti” nr. 196, afër kryqëzimit të magjistrales Podujevë-Prishtinë (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).