Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton opinionin e gjerë publik se Bordi i Drejtorëve të Agjencisë në mbledhjen e mbajtur me datë 25 qershor 2018 mes tjerash ka vendosur edhe për transferimin e “Fondeve të Mbetura” të likuidimit në vlerë prej € 42,159,638.15 në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte identifikuar një numër të ndërmarrjeve shoqërore dhe të aseteve në të cilat edhe pasi janë përmbushur të gjitha kërkesat e vlefshme të kreditorëve (përfshirë ruajtjen e fondeve rezervë sipas nenit 42 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së për ankesat e regjistruara në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës – DhPGjSK apo për shpenzimet e ardhshme të likuidimit), kanë mbetur ende fonde.

Bazuar në ndryshimet e reja ligjore të parapara në nenin 2.6 të Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-023, Ligjin nr. 05/L-80 dhe Ligjin nr. 04/L-115, këto fonde janë bartur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës.

Përveç këtyre fondeve, Agjencia kishte bartur fonde tepricë edhe më parë në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës dhe atë: në korrik të vitit 2012 në vlerë prej 28,9 milion € dhe në dhjetor të vitit 2015 në vlerë prej 61,3 milion €.

Prandaj, vlera e tërësishme e fondeve të bartura nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës që nga fillimi i procesit të likuidimit deri më tani ka arritur shumën prej 132.3 milion €.