Një aksident me fatalitet mes një treni dhe veture në vend-kalimin hekurudhor ka ndodhur rreth orës 18:44 minuta në fshatin Dush të Klinës. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë mbetur të lënduar gjashtë udhëtarë, të njëjtit pas ndihmës së parë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.
Rastin e ka konfirmuar për “Indeksonline”, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Ai ka bërë të ditur se sipas ekipit mjekësorë, një person (gjinia femër) ka ndërruar jetë. Rugova ka treguar po ashtu se vdekjen e saj e ka konstatuar edhe mjeku kujdestar.
“Dy persona të tjerë fëmijë janë duke u dërguar në QKUK- Prishtinë për arsye se gjendja e tyre shëndetëosre është rënduar”, ka thënë Rugova për Indeksonline.
Më tutje, ai ka shtuar se njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin në fjalë.