Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur sot gjatë ditës në autostradën “Prishtinë – Podujevë” në drejtimin për Podujevë.
Sipas dëshmitarëve që kanë folur për Koha.net, mësohet se dy vetura kanë qenë duke bërë gara në këtë shteg, i cili nuk është i paraparë për veprimtari të tillë dhe është e sanksionueshme me ligj.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se vetura e aksidentuar, një BMW M3, ka qenë duke garuar me një veturë Golf 4. Sipas dëshmitarëve, mësohet se vetura BMW ka humbur kontrollin dhe është përplasur me rrethojat e autostradës.
Si pasojë, ajo është dëmtuar skajshmërisht ndërsa të pranishmit tjerë, kryesisht ndjekës të këtyre garave të shpejtësisë, kanë vrapuar për të fikur veturën e cila ishte përfshirë nga flakët.
Mësohet gjithashtu se shoferi i veturës së aksidentuar ka pësuar vetëm lëndime të vogla trupore.
Ndërkaq, vetura tjetër që po garonte në këtë pistë ka shpëtuar.