Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 18:30 në fshatin Llugë të Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident, sipas dëshmitarëve që kanë dërguar pamje në Llapi.info, janë përfshirë pesë automjete, derisa kanë mbetur të lënduar pesë persona. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 18:30 në fshatin Llugë, të Podujevës, ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë të përfshira pesë automjete. Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pranuar trajtim mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë, sipas statistikave ditore të PK-së, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 33 aksidente, prej tyre, 16 kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info