Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit në kilometrin e parë të magjistrales Merdare – Podujevë, raporton Llapi.info.

Si pasojë e këtij aksidenti, siç mëson Llapi.info, ka mbetur i vdekur një person dhe tetë të tjerë të lënduar.

Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Siç ka bërë të ditur Ahmeti, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Passat” me targa të huaja (gjermane) dhe vetura e tipit “Audi 80” me targa të Republikës së Kosovës.

“Bëhet fjalë për B.S. 39 vjeç, mashkull, shtetas kosovar (vozitësi i Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa personat e tjerë të lënduar, janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka bërë të ditur Ahmeti./Llapi.info