Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 18:30 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, më saktësisht në fshatin Sekiraçë, raporton Llapi.info.
Sipas dëshmitarëve të cilët edhe kanë dërguar fotografi në Llapi.info, në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar dy persona.
Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Në ora 18:15, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Sekiraçë. Të përfshira në këtë aksident janë dy vetura dhe lëndime kanë pësuar dy persona”, ka thënë Krasniqi.
Ekipet e njësitit të trafikut të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkakun e aksidentit.
Ndërkaq, duhet potencuar se numri i aksidenteve në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Sipas PK-së, vetëm dje në nivel vendi kanë ndodhur 53 aksidente, ku 14 prej tyre kanë përfunduar me persona të lënduar. Kurse, për të gjithë pjesëmarrësit që kanë shkelur rregullat e trafikut, Policia për 24 orë ka shqiptuar gjithsej 1272 gjoba./Llapi.info