Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 18:00 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Sekiraçë, raporton Llapi.info.

Sipas dëshmitarëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion.

Si pasojë e këtij aksidenti, përveç dëmeve materiale ka edhe persona të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Janë të përfshira dy automjete, aksidenti është me lëndime, ndërsa Policia po merret me rastin”, ka thënë fillimisht ai.

Siç mëson portali, nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy persona. Mësohet se lëndimet janë të lehta. Ekipet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkakun e këtij aksidenti.

Ndërkaq, sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar mediave, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 38 aksidente, prej tyre 15 kanë rezultuar me persona të lënduar, ndërsa 23 vetëm me dëme materiale./Llapi.info